Profesori i Gjeodezisë, Përparim Ahmeti, boton librin universitar “Gjeodezia Fizikale dhe Satelitore”
Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Përparim Ahmeti, ka botuar librin universitar “Gjeodezia Fizikale dhe Satelitore”, një vepër që synon të shërbejë si literaturë e rëndësishme për studentët, studiuesit dhe profesionistët e fushës së gjeodezisë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë profesori Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë edhe detaje rreth procesit të punës dhe qëllimit të këtij botimi.
Sipas tij, libri është rezultat i një pune disa vjeçare dhe i një angazhimi të gjatë profesional e akademik. Ai synon të ofrojë një trajtim të qartë dhe të strukturuar të koncepteve kryesore të gjeodezisë fizikale dhe satelitore, duke krijuar një bazë të qëndrueshme teorike dhe praktike për lexuesit. “Ky libër është rezultat i një angazhimi të gjatë profesional dhe akademik, me synimin që të shërbejë si literaturë e dobishme për studentët, studiuesit dhe profesionistët e fushës së gjeodezisë,” ka shkruar Ahmeti.
Përmes kësaj vepre, ai thekson se ka synuar të kontribuojë në avancimin e dijes dhe në pasurimin e literaturës universitare në gjuhën shqipe. Në fund, profesori Ahmeti ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi profesional dhe akademik.




