
Profesori japonez që vulosi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë viziton Kosovën
Ish-kryetari i GJND-së, Hisashi Owada, i cili më 2010 e kishte “legalizuar” ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës, po qëndron në Kosovë. Owada, para 15 vitesh, e kishte lexuar opinionin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin e kishte kërkuar Serbia.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, për nder të profesorit të njohur japonez, Hisashi Owada.
Profesori Owada, ish-President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), njëherësh edhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Japonisë dhe ish-ambasador në Kombet e Bashkuara, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Në fjalën e tij gjatë pritjes, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje profesorit Owada dhe në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës i shprehu mirënjohje të përhershme për rolin e tij në udhëheqjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në periudhën kur kjo gjykatë dha opinionin e saj mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Profesor Owada nuk është vetëm një mysafir i nderuar i Kosovës – ai është një mik, kontributet e të cilit janë thellësisht të ngërthyera në historinë tonë kombëtare.
Lidershipi i tij në të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimi i tij për paqen dhe drejtësinë kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se Kosova pati fatin të kishte një jurist të nivelit të tij intelektual dhe moral në krye të GJND-së, në një moment jetik për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës.
“Rendi juridik ndërkombëtar dhe parimi i bashkëjetesës paqësore midis kombeve kanë përfituar shumë nga qartësia e mendimit dhe forca e bindjes së tij”, tha Kurti.
Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës e ka nderuar profesor Owada-n me titullin e lartë Doctor Honoris Causa, në një ceremoni akademike të organizuar sot për të vlerësuar kontributin e tij në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e tij për të drejtën e popujve për vetëvendosje.