
Profesori nga Spanja: Kosova një vend mikpritës me harmoni fetare dhe shumë memorialë
Profesori nga Spanja Ricardo Spencer de Albuquerque që ligjëroi për efekte speciale të filmave me buxhet të ulët në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, botoi një shkrim autorial në gazetën braziliane “Diario de Pernambuco”.
Ai shoqërinë kosovare e vlerësoi të re, moderne, mikpritëse me shije për veshje, harmoni fetare e rrënje në Dardaninë e lashtë.
Profesori nga Shkolla Profesionale e Formimit Audiovizual në qytetin Vigo të Spanjës tregoi se vitin e kaluar vizitën në Kosovë në kuadër të një bashkëpunimi ndëruniversitar, e pranoi edhe si mundësi të mirë edhe për ta njohur nga afër shtetin më të ri evropian.
Ai erdhi pastaj sivjet edhe në Universitetin Veror nga 7 deri më 18 korrik 2025. Bashkë me kolegun nga Universiteti i Prishtinës, prof. Blerim Gjinovci, ligjëroi për efektet speciale në filmat me buxhet të ulët.
“Kursi, pjesë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës (PISU), mblodhi studentë nga Bosnja, Turqia, Shqipëria, Spanja, Malajzia, Holanda dhe Kosova. Mësimet synuan t’i orientonin studentët për interpretimin e skenarit, si dhe planifikimin dhe zbatimin e efekteve speciale, duke përdorur metoda alternative dhe materiale të arritshme”, shkroi profesori Ricardo Spencer de Albuquerque.
Ai e vlerësoi lart Kosovën për mikpritje, gjallëri, harmoni fetare e kulturë të kafesë.
“Kosovarët janë të lumtur, mikpritës dhe shijojnë muajt e verës në bare dhe kafene të hapura. Në verë, rrugët e kryeqytetit Prishtinë mbushen me njerëz, sidomos për shkak të kthimit të emigrantëve për pushime në atdhe. Një pamje që nuk ndryshon shumë nga qytetet e tjera evropiane”, tregoi përshtypjet e tij profesori nga Spanja.
Ai konstatoi se të gjithë ata që nuk kanë njohuri për Kosovën, duhet ta zbulojnë këtë vend dhe do të befasohen këndshëm. Lexuesve të tij, profesori i nderuar ua tregoi me fakte historinë më të re të Kosovës nga lufta e viteve 1998-1999, bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe, deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur keqardhjen që Spanja dhe Brazili ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
“Fatkeqësisht, Brazili dhe Spanja janë ndër ato vende që [Kosovën] nuk e njohin si shtet të pavarur. Kjo është për të ardhur keq, pasi që vendi ballkanik posedon burime të gjera minerale, turizëm në zhvillim e sipër dhe është i përqendruar në krijimin e marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare”, shkroi profesori Ricardo Spencer de Albuquerque.
Profesorit Ricardo Spencer de Albuquerque i bënë përshtypje memorialët e shpërndarë kudo ku kanë ndodhur beteja heroike dhe krime kundër njerëzimit.
“Lufta la gjurmë të thella te populli. Varrezat dhe memorialet e shpërndara nëpër tërë territorin kujtojnë masakrat e 27 vjetëve të kaluara gjatë pushtimit serb pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Këtu shihen varre të familjeve të tëra, përfshirë fëmijë dhe pleq, viktima të ekzekutimeve të shpejta sipas dokumenteve zyrtare”, shkroi profesori nga Spanja.
Ai shkroi edhe për pasuritë natyrore të Kosovës, duke ua bërë me dije lexuesve të gazetës „Diario de Pernambuco” se vendi ynë ka rezerva të mëdha të zinkut, plumbit, nikelit, kromit, arit dhe sidomos qymyrit.
Gazeta “Diario de Pernambuco”, e themeluar në vitin 1825, botohet në Brazil në gjuhën portugeze dhe është më e vjetra në Amerikën Jugore.