
Profili i çuditshëm në TikTok- Kush po poston lajme të rreme për vdekjen e VIP-ave?
Vdekjet e rreme të figurave publike janë shndërruar në argëtim çasti për mashtruesit në rrjete sociale.
Krejt lehtësisht, faqe të ndryshme, publikojnë përmbajtje të rreme me informata të cilat janë të pavërteta e kësisoj krijojnë panik e shqetësim te publiku i gjerë.
Shikues të Kiks Kosovës, informuan redaksinë për një faqe në rrjetin social Tik Tok, me emrin “Xaxa Baba” që poston përmbajtje plotësisht të rreme.
Kjo faqe, e cila numëron dhjetëra postime, me lajme për vdekjen e disa figurave publike dhe Tik Tok-erave, ka mbi 5 mijë e 300 ndjekës dhe mbi 80 mijë pëlqime.
As shikimet në videot të cilat admini i faqes i shoqëron me muzika vajtuese, nuk janë hiç të vogla por ato arrijnë deri në 787 mijë veç për njërin postim, që del të jetë postimi për kinse vdekjen e Drilon Ramës, fituesit të ‘Big Brother VIP Kosova 3’.
E të tjerat variojnë, nga 2 e 3 mijë, deri në 300 mijë shikime.
Si duket, admini ose adminët e kësaj faqe, kanë gjetur formën se si të joshin përdoruesit e Tik Tok-ut që të klikojnë materialet e tyre.
Duke përdorur imazhet e personave publik të cilët për arsye të ndryshme tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale.
Kjo faqe, dezinformon për vdekjen e dhjetëra Tik Tok-erave.
Por me kaq nuk ndalon.
“Xaxa Baba” vendos të informoj gjoja dhe për vdekjen e shumë figurave të tjera publike, duke përfshirë këtu këngëtarë e aktorë shqiptarë.
Figura këto si Noizy, Besart Kelmendi, i njohur në publik si Gjesti, Stresi, Luiz Ejlli,
Naim Bunjaku i njohur si Xuxi e po ashtu edhe këngëtari Blero.
Jo vetëm figurat e tregut muzikor, por kjo faqe zgjedh të mashtroj publikun edhe për vdekjen e gjoja shumë aktorëve të tjerë shqiptarë.
Imazhet që zgjodhën të keqpërdorin, qenë ai i aktorit Luan Jaha, Fatos Kryeziut, Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashit, Donat Qosja, aktorëve Osman Azemit, Vedat Ademit, Mensur Safqiut, Ylber Bardhit, Alban Rexhës e Avni Hotit.
Por adminët e kësaj faqe, të cilët nuk dihet nëse janë shqiptarë ose jo, diçka kanë gabuar, qëllimisht ose pa qëllim.
Sipas tyre, në 2025-ën ndërruan jetë dy aktorët Xhevat Qena e Adem Mikullovci.
Por që për të cilët tanimë dihet që Qena ka ndërruar jetë në mars të 2003-ës, ndërsa Mikullovci në shtator të 2020-ës.
Përveç fushës së artit, adminët e kësaj faqe fiktive, as politikën nuk e lënë fort rehat.
Kështu duke mashtruar publikun që kanë vdekur figurat si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
E qytetarët janë ata që bien pre e këtyre lajmeve të rreme, adminët e të cilëve keqpërdorin imazhet e figurave të ndryshme për përfitime personale.
Ka prej atyre që komentojnë në postimet e faqes që nuk i besojnë aspak dhe që e kuptojnë se është lajm i rremë.
Por pati dhe prej tyre që madje shprehin ngushëllime pa e kuptuar që janë duke u mashtruar.
E një detaj tjetër na e tërhoqi vëmendjen, të gjitha postimet janë në stil të ngjashëm të montazhës.
A janë krijuar të gjitha këto imazhe, përmes Inteligjencës Artificiale? Teknologjia na e konfirmoi që po.
Në anën tjetër, Kiks Kosova, ka tentuar të bie në kontakt me këtë faqe por që na u pamundësua komunikimi me të ngase na bllokoi.