Profili i një poeti

25 mars 2022 | 10:29

Alma Zenellari

 Nisur nga ky titull, “Linga e heshtjes”, disi i veçantë, më lindi dëshira të lexoj vëllimin poetik të autorit Bujar Salihu, i cili s’ka pak që realizoi promovimin e tij në vendlindje. Vendosa të trokas dhe të çel me kujdes portat e kësaj poezie disi të panjohur për mua. Ta ndjek fletë më fletë, tingull pas tingulli dhe të kuptoj thellësinë e mendimit, idetë e veçanta që përcjellin krijimet si edhe motivin frymëzues të poetit.

Libri është një realizim i këndshëm jo vetëm poetik, por edhe estetik. Të bie në sy që në hyrje poezia e parë, realizuar grafikisht bukur. Një poezi e skalitur në trajtën e një dallgë të fuqishme oqeanike. Natyrshëm më lindi pyetja; kjo dallgë është linga e heshtjes? Ky oqean i thellë poetik brenda të cilit vlon dhimbja e thellë e poetit, fati i të cilit nuk ka si të mos na prek, nuk ka si të mos na trazojë dejet e shpirtit…

Duke lexuar poezitë m’u duk sikur shfletova një dorëshkrim të çmuar, një ditar faqet e të cilit nuk janë veçse dëshmia e gjallë me dimensione të papërcaktuara e dhimbjeve, dashurive, e mirënjohjes dhe nderimit për luftëtarët, për njerëzit, për jetën e tyre të pajetuar, për ëndrrat e këputura në mes, si dallëndyshe të vrara në fluturimin e tyre rrëqethës. Duke lexuar ndjeva se po trokisja në zemrën e vet historisë të një populli të tërë. Duke shfletuar kujdesshëm, duke u ndalur mbi këto poezi që duket sikur frymojnë, ndjen si lind vetiu brenda teje, dëshira për të njohur dhe dashuruar çdo vend, çdo shkëmb, çdo lum, çdo pemë të mbetur aty në skaj, si dëshmitarë okularë të të gjitha kohërave. E gjithë kjo falë rrëfimit poetik të autorit.

Poeti Bujar Salihu është njeriu që kërkon të përcjellë për çdo kohë, përjetimet e situatave, gjendjeve që intrigojnë për nga pesha dhe koha e gjatë. Është një histori e tërë, që bota nuk e sheh dhe nuk arrin ta perceptojë si duhet. Edhe pse aty përfshihet lufta për identitet, pavarësi dhe liri. Ky është edhe lajtmotivi kryesor i librit në tërësi. Një lajtmotiv i cili mbetet sa shpresëndezës aq edhe frymëzues për ne pasardhësit dhe trashëgimtarët e lirisë dhe paqes.

Bujar Salihu, “Lingën e heshtjes” e ka ndarë në disa cikle me tituj tepër dinjitozë dhe është kujdesur që t’i pozicionojë poezitë sipas tematikës së tyre, sipas një qëllimi të paracaktuar nga ai. Në poezitë e cikleve me tituj Shtatë herë Shkupi, Shtatë letra, Lule mbi oqean, ndihet fryma e theksuar atdhetare, lexohet portreti i gjallë i Atdheut, dashuria për çdo gjymtyrë të tij. Krenaria për tokën, heronjtë, miqtë, shokët, të afërmit, që së bashku plotësojnë si në një puzzle, një bashkëjetesë gati epike me betejat, dramat, gjakimet dhe trazimet që shkaktoi lufta.

Duket sikur poeti kërkon të na tregojë se sa i ndjeshëm është njeriu përballë Atdheut. Krijimet bëhen kështu pasqyrime ndjenjash të thella, shndërrohen në dallgëzime shpirtërore. Kthehen në poezi thirrore, të cilat kërkojnë dritë për t’u lexuar sepse brenda tyre mpleksen pikërisht këto ngjarje, flitet për fatet e njerëzve, që jetojnë së bashku nën një diell, luftojnë dhe shpresojnë së bashku në kohëra absurde. Në to gdhendet trishtimi, përmbyset dielli kur Kosovës i shkulin këngët, i rrëmbejnë gjymtyrët si në poezitë “Nishi”, “Mitrovica” etj. Në këtë rrugëtim sa të gjatë e të vështirë luftëtarët e lirisë shndërrohen në heronj mitologjikë. Ata flasin me heroizmin e tyre.

E megjithatë edhe pse shekujt u treguan barbarë ndaj nesh, thotë autori, asnjëherë ne nuk reshtëm së ëndërruari, nuk reshtëm së besuari dhe shpresuar të shfaqeshin engjëjt, “litarin nga gryka të na hiqnin, melodi lulesh dhe pranverë flatrash Atlantiku, të na sillnin”.

Linga e heshtjes bashkë me nëntitujt është një ndërthurje poezish me përshkrime rrëqethëse dhe tablosh të pikturuara me ngjyra ku dominon e kuqja. E kuqja simbol i gjakut, flamurit, e kuqja që vazhdon të mbetet e tillë edhe pse mbi Atdhe bie terri, tmerri dhe ferri. Është një parakalim shpirtëror mbi majat e çukave, mbi retë e larta. Peizazhe të gjalla, me perëndime, mëngjese dhe zgjatime lumenjsh etj. Gjuha e përdorur në këtë vëllim poetik, vjen e ngjeshur, e pasur, e plotë në kompozita dhe metafora të zgjuara. Ajo bën të mundur që çdo gjë e shkruar të ndjehet, të admirohet, dhe të vlerësohet. Të tilla janë krijimet për lirinë e shumëpritur, e cila shpesh na shfaqej si vegim fantom, e megjithatë ajo erdhi. Erdhi duke kaluar mbi fytyrat e gjysmuara të fëmijëve, erdhi me sytë mbërthyer mbi trupa të masakruar. Rrugëtimi i saj ishte i dhimbshëm sepse shpesh i duhej të zbriste nën strehë gërmadhash. Këtë peshë mbartin gati gjithë poezitë, por spikat ajo kushtuar Albanës. Cilado qoftë kjo grua, lotët dhe dhimbjet e saj, janë lotët dhe dhimbjet e Kosovës. Liria e saj është liria e tërë Kosovës.

Ka poezi ku poeti merr përsipër të na paraqes jo vetëm shqetësimet, brengat e tij, por të gjithë shqiptarëve, që jetuan me mungesën e asaj pjese të Shqipërisë dhe mallin për ta parë, pamundur ta shuanin kurrë etjen. “Kosova jashtë Shqipërisë, është si një dallgë e thyer nga vetëtimat”.

Një cikël disi i veçantë është ai me titull “Shtatë pamje dhe një legjendë”. Një cikël gati fluid por i pasur metaforikisht. Duke i lexuar të lind pyetja çfarë simbolizojnë këto dritëhije pamjesh për poetin?… E bardha thotë ai, vjen si veshje solemne e virgjëreshës. E përhirta, stinë pa lule. E gjelbra, livadh i madh. E kaltra gjurmë pasioni, udhëkryqe qiellore të paqes. E kuqja, vallëzim siluetash shushurimë, e kuqe mbetet molla e vjeshtës së saj (metaforike).

I bukur vjen edhe cikli me lirika tejet të ngrohta, plot melodi dhe ndjeshmëri të thellë. Këto lirika vijnë të bardha dhe të pafajshme, me efekt të fortë emocional. Vijnë të pranverta plot diell dhe dritë, të vrullta si mbërritjet në vjeshtë, të freskëta si bari i kredhur në vesë. Këto lirika vendosur nën titullin “ Shtatë nuk janë më”, duket se vijnë si një domosdoshmëri për të kuruar shpirtin, zemrën, si për të kthjelluar ëndrrat. Do t’i quaja poezi tepër optimiste të cilat e shohin dashurinë për jetën si një triumph. Të tilla janë ato kushtuar Ronës, Erionit, Ardit, apo të dashurës së tij magjiplotë…

“Balona të bardha fluturimi ma zgjerojnë kraharorin”

Të bukura, plot frymëmarrje dhe dritë mirënjohjeje janë krijimet kushtuar figurave prindërore, babait, nënës, si edhe vëllait, axhës etj. Por më kuptimplote mbetet krijimi kushtuar figurës së shenjtëruar, udhërrëfyeses së tij të pavdekshme, nënës. “ Më prit, i drejtohet nënës, më prit se pa ty, mund të mos e gjej dot rrugën”.

Të tilla poezi të mbushin me shpresën e ringjalljes dhe lulëzimit të jetës. Dhe nuk është pra as rastësi, që poeti Bujar Salihu përdor numrin shtatë, si një numër i preferuar profetik, me të cilin lidhet realja me abstrakten, shtatë rrathë të krijimit, shtatë ngjyra, shtatë nota muzikore, shtatë mrekullitë e botës, shtatë ditët e javës etj. Ai beson se numri shtatë përfaqëson ringritjen, ripërtëritjen si koncept ngadhënjimi.

Bujar Salihu është kërkuesi i fjalës së duhur dhe përpiqet të na e servir me natyrshmëri. Tek fjala e tij ne kuptojmë botën e pasur shpirtërore dhe formimin e tij kulturor. Befasi në poezinë e tij është modestia dhe ndershmëria. Meditimi dhe përshtatshmëria e figurave perla. Trokitja në mitologji dhe në folklorin tonë na përforcojnë mendimin mbi vlerat ideore artistike të poetikës si psh., përdorimi i mitit të Atlantit që mban mbi supe qiellin,, figura të tjera si gjarpri i shtëpisë, apo përdorimi i elementëve natyrore si uji toka, zjarri, dielli, hëna etj., që tregojnë vazhdimësinë e ciklit të jetës.

Në këtë libër të ideuar bukur, poezitë vijnë si shkëndijat e një zjarri të ndezur, të pashuar. Ato janë pse jo dorëshkrimi jetësor, janë legjenda e Kosovës që eci e u rrit midis luftërave, sakrificës, vetëmohimit të pashoq, ku çdo kosovar është një hero, që ngrihet i paepur përballë vdekjes, është kalvar dhimbjesh. Kosova është dashuri është adhurim me heronj gati mitikë. Në këto poezi me frymë patriotike atdhetare, si dhe në lirikat autori shfaq përjetimet e veta, dhimbje – gëzime, vuajtje – dëshira, shpresa të mëdha, etje për paqe, për qiej të kaltër. Ai nuk harron ta thërras lirinë me emra heronjsh, si Adem Jashari, Sali Çeku, Agim Ramadani etj… Po kështu nuk harron të lartësojë emrat e Nolit, Konicës, Kadares, Podrimes etj. në cikle më vete dhe jo pa qëllim. Janë këta emra që e bënë të njohur Shqipërinë në mbarë globin.

Një veçori tjetër e poezive që sjell autori është se ai nuk e zgjedh fjalën ekskluzivisht për shkak të kërkimit të rimës, por për të na lejuar të hyjmë në këto përjetime duke e përvetësuar, duke e bërë tonën çdo ngjarje, çdo episod, duke na zgjuar vetëdijen e thellë kombëtare. Poezia e tij është një ftesë për të dëgjuar pulsin dhe zemrën e vet Kosovës. Është një apel, një thirrje për zgjim drejtuar bashkudhëtarëve të tij të luftës dhe të paqes, për t’u treguar atyre shqetësimin se liria vërtet erdhi, por ajo duhet ruajtur, duhet mbrojtur. Një thirrje dhe një shqetësim i dukshëm ky në disa prej poezive. Ai na deklamon qartazi se nuk duhet fjetur mbi dafina. Armiku nuk fle. Është aty dhe pret. Liria duket shpesh herë e brishtë.

Realisht kështu duhet kuptuar edhe vet titulli i librit “Linga e heshtjes”. Kjo qetësi, kjo paqe, kjo heshtje nuk duhet të na përgjumë. Duhet dëgjuar përmes heshtjes…

Si përfundim mund të them se ky libër është një fragment i shkurtër shpirtëror, një libër që mund të mos jetë libri i pritshmërive të tij, dhe ndoshta nuk u përmbahet rregullave të metrikës mbi bazën e projeksioneve të hijezuara, megjithatë ai mbetet një libër thellësisht jetësor. Autori nuk dëshiron ta lërë në hije, përkundrazi me një vetëmburrje legjitime ai kërkon të shpërfaqet krenarisht në botë, me emrin dhe historinë e tij të lavdishme shkruar mbi pllaka profetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy super-jahtet e miliarderit rus Roman Abramovich, i cili është…