Projekt-kodi civil, “i pakalueshëm” me përmbajtjen aktuale

04 mars 2024 | 08:23

Në një të ardhme jo shumë të largët, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të përballen sërish me një temë të vjetër.

Projekt-kodi Civil do t’u dërgohet atyre përsëri për votim.

“Miratimi unë besoj që duhet të jetë brenda kësaj legjistrature. Mendoj që sado që mund ta shtyjmë për legjistraturën tjetër, do të ballafaqohemi me të njëjtat diskutime, me të njëjtat trajtime, vetëm varet se si do të jetë kompozicioni i deputetëve në Kuvend. Prandaj, nuk është që ne po i ikim përgjegjësisë, ose që do të duhej t’i iknim përgjegjësisë duke ia lënë dikujt tjetër.” tha Mimoza Kusari Lila.

Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, thekson se pozicionet e deputetëve kundërshtues nuk kanë ndryshuar.

Prandaj, ajo kërkon ndihmën e opozitës.

“Është një projektligj i rëndësisë së veçantë i cili kalon përtej vijave ndarëse politike në raport me pushtetin dhe opozitën,” shtoi Lila.

Mungesë optimizmi në lidhje me kalimin e këtij projekt-kodit civil, ka edhe në shoqërinë civile.

“Edhe nëse draft-kodi civil në përmbajtjen aktuale shkon në Kuvend, ne nuk jemi optimist, nuk besojmë që do të kaloj, për shkak që brenda Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe brenda grupeve të tjera parlamentare, ka një rezistencë të madhe të mos kaluar ky kod-civil,” u shpreh Marigona Shabiu.

Marigona Shabiu nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, thotë se nuk janë të kënaqur as me përmbajtjen aktuale të Kodit Civil.

“Përmbajtja e draft-kodit aktual nuk e rregullon çështjen e të drejtës së martesës ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë, kështu që edhe në rast se do të kaloj në versionin aktual, ne prapë jemi të përkushtuar dhe të vendosur që ta dërgojmë të njëjtin kod civil në Gjykatën Kushtetuese” shtoi Shabiu.

Mos miratimi i këtij dokumenti të rëndësishëm konsiderohet se mund t’i shkaktojë probleme Kosovës në synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO do të nisë të hënën një stërvitje “për të…