Projekte milionëshe për Ferizajn në fushën e mjedisit

28 qershor 2019 | 14:59

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka vizituar Komunën e Ferizajt ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Agim Aliu.

Gjatë kësaj vizite, Matoshi ka konfirmuar mbështetjen e kësaj ministrie në projekte të ndryshme mjedisore dhe vepra të rëndësisë së veçantë strategjike për mjedisin në territorin e Ferizajt.

Aliu e ka njoftuar ministrin Matoshi për hapat e ndërmarra nga qeverisja lokale në dobi të infrastrukturës mjedisore si dhe projeksioneve për të ardhmen, duke vënë theksin tek projekti i rregullimit të shtratit të lumit “Sazli”, funksionalizimi i bifurkacionit të lumit “Neredime” si dhe ndërtimi i parkut memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të nënshkruajnë me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit disa memorandume për nisjen e procedurave dhe lehtësimin e realizimit të tri projekteve të cilat janë pjesë e kodeve buxhetore në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Aliu ka thënë se rregullimi i shtratit të lumit “Sazli” deri në derdhjen e njërës nga degët e lumit “Nerodime” në lumin “Sitnica” do të kushtojë 500 000 euro, ndërsa funksionalizmi i bifurkacionit të lumit “Neredime” ka vlerën afërsisht 300 000 euro.

Kryetari Aliu ka falënderuar MMPH-në për mbështetjen me grante në vlerë prej afro 600 000 euro për makineri të mirëmbajtjes dhe me grantin performancës në vlerën e 150 000 euro për angazhimin e Ferizajt në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”.  Ndërsa ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, ka thënë se janë në fazën e hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe se Komuna e Ferizajt do të përfitojë projekte milionëshe në fushën e mjedisit. Në këtë kontekst, ai ka folur për 1.2 milion euro të cilat do të dedikohen për Ferizajn.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka bërë me dije se Ambasada e…