Projekti ‘Bashkë për shtetin’ po mbështetet në gjithë Kosovën

24 shtator 2019 | 15:05

Anëtari i Kryesisë i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për deputet nga radhët e koalicionit parazgjedhor Nisma-AKR-PD, Fazli Hoxha, ka thënë të hënën se kjo parti si asnjëherë më parë hyn e fuqishme në zgjedhjet e parakohshme, me synim për të dalë fituese së bashku me partnerët e vet – AKR-në dhe PD-në.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se fuqia e Nismës në Gjakovë dhe në gjithë Kosovën do të shihet më 6 tetor.

“Projekti ‘Bashkë për shtetin’ po gjen mbështetje kudo në Kosovë sepse rrugë tjetër që e çon Kosovën përpara nuk ka përveç frymës së Nismës Socialdemokrate. Rreth saj po bashkohen njerëz me energji pozitive në shërbim të vendit”, është shprehur Hoxha ai, duke shtuar se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme. “Ne jemi të bindur se do të jemi fitues si koalicion sepse e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër. Nëse ndodh e kundërta, sigurisht se ne do të jemi koalicioni përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Hoxha.

Ai ka vlerësuar se gjatë qeverisjes dyvjeçare në ministritë e drejtuar nga zyrtarët e Nismës janë bërë punë të mëdha të cilat kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarëve. “Mund t’ju them se ministrat tanë janë dalluar për punë në qeverinë Haradinaj”, ka deklaruar Hoxha. Ai ka thënë se pas 6 tetorit Kosovës i duhet një qeveri reformatore dhe, sipas tij, përfundimi i procesit të dialogut do të jetë një prej vendimeve të mëdha të qeverisë së re. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Nisma do të luajë rol konstruktiv si në pozitë, po ashtu edhe në opozitë

“Epoka e re”: Z. Hoxha, më 6 tetor do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Sa jeni përgatitur si parti që të hyni në këto zgjedhje?
Hoxha: Nisma Socialdemokrate ka bërë të gjitha përgatitjet sa i përket organizimit të brendshëm si subjekt politik për zgjedhjet e 6 tetorit qoftë edhe me formimin e shtabeve zgjedhore nëpër degë, po ashtu edhe Forumi i Gruas së Nismës dhe ai i Rinisë janë mobilizuar që në këto zgjedhje Nisma të ketë një fitore më të madhe. Pra, angazhimi po ndodh në të gjitha strukturat e Nismës. Ka disa ditë që kryetari, njëherësh kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka dalë në terren duke takuar strukturat e partisë për ta përcjellë mesazhin e mobilizimit të anëtarësisë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Unë personalisht kam marrë pjesë pothuajse në shumicën e këtyre takimeve që z. Limaj ka mbajtur me struktura nëpër komuna dhe po shihet se fryma e socialdemokracisë është rritur në çdo qytet. Nisma Socialdemokrate si asnjëherë më parë këtë herë po hyn e fuqishme në zgjedhje me synimin që të dalë fituese me partnerët e vet – AKR-në dhe PD-në.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe kryetar i Degës së Nismës në Gjakovë dhe në këto zgjedhje jeni edhe kandidat për deputet. Cila është gjendja e Nismës në këtë qytet?
Hoxha: Nisma në Gjakovë tanimë është shtrirë me struktura në gjithë komunën, në çdo lagje dhe në çdo fshat. Këtë vit kemi mbushur pesë vjet të themelimit dhe kemi një anëtarësi të madhe në Gjakovë. Tanimë nuk mund të konsiderohemi parti e vogël në Gjakovë qysh na kanë parë në fillim kundërshtarët politikë. Kemi tre asamblistë dhe jemi pjesë e qeverisjes në nivel lokal. Kontributi i Nismës qoftë në Kuvendin Komunal dhe atë të qeverisjes ka qenë i jashtëzakonshëm në shumë projekte të cilat i kemi shtyrë përpara. Gjithashtu, nga qeverisja në nivelin qendror, ku Nisma ka pasur përgjegjësi në tri ministri, përkrahja për Gjakovën ka ardhur në shumë projekte. Qytetarët e Gjakovës më së miri e dinë kontributin tim si kryetar dege, ekipit tim të udhëheqjes së Nismës dhe të Nismës për Gjakovën. Në zgjedhjet e 6 tetorit, pos meje, kandidatë për deputetë nga Gjakova janë edhe Erjona Rama, Violeta Dema, Luan Dinaj dhe Edmond Dushi. Projekti ‘Bashkë për shtetin’ po gjen mbështetje kudo në Kosovë sepse rrugë tjetër që e çon Kosovën përpara nuk ka përveç frymës së Nismës Socialdemokrate. Rreth saj po bashkohen njerëz me energji pozitive në shërbim të vendit. Fuqia e Nismës në Gjakovë dhe në gjithë Kosovën do të shihet më 6 tetor

“Epoka e re”: Keni qenë edhe këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. A mendoni se Nisma ka bërë sa duhet me ministritë që ka drejtuar, edhe pse dy ish-ministra tashmë s’i keni në parti?
Hoxha: Kjo puna e largimit të individëve nuk duhet të merret tragjike, se ndodh në çdo parti politike. Dikush shkon e dikush vjen, partia edhe pranon njerëz, por edhe mund të largojë. Në Nismën Socialdemokrate kanë ardhur me mijëra anëtarë dhe mediet asnjëherë nuk pyesin për aderime, por vetëm për dy ose tri largime që kanë ndodhur. Ka anëtarë që, ndoshta, kanë dhënë angazhim shumë më të madh për Nismën dhe nuk janë bërë ministra e as zëvendësministra dhe sot janë ende pjesë e rrugëtimit politik të Nismës, sepse kanë besuar dhe besojnë në vizionin e liderit Fatmir Limaj. Pra, po dua të them se ka pasur të atillë që nuk kanë punuar për veten, por për partinë, pavarësisht nëse nuk janë shpërblyer me ndonjë pozitë në qeveri ku Nisma ka qenë pjesë e saj. Nisma sot është shumë e fuqishme dhe e mobilizuar. Sa i përket punës së Nismës në ministritë që ka drejtuar, mund të flas me kompetencë për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku është bërë një punë shumë e madhe sa iu përket politikave sociale. Edhe në Ministrinë e Arsimit dhe të Tregtisë ka pasur punë të pandalshme që kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarëve. Mund t’ju them se ministrat tanë janë dalluar për punë në qeverinë Haradinaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxha, prej se janë shpallur zgjedhjet ka nisur fushata para kohe dhe partitë që janë pjesë e qeverisë në largim, zyrtarë të këtyre partive po i përdorin veturat zyrtare për tubime partiake, një shembull ky që është kritikuar edhe nga shoqëria civile. Ka edhe zyrtarë të Nismës që janë zëvendësministra e ministra që i përdorin veturat zyrtare?
Hoxha: Unë mund të flas vetëm për veten. Kur jam emëruar këshilltar nuk kam pranuar të kem veturë zyrtare edhe pse më ka takuar. Për dy vjet sa ka zgjatur kjo qeveri kam përdorur veturën time private. Këtë mund ta vërtetoni edhe në Ministri të Punës. Përdorimi i veturave zyrtare në fushatë nuk është diçka e re, kjo është bërë më herët edhe nga qeveritë e kaluara. Po të pyetesha unë, asnjëri nuk do të duhej ta përdorte veturën zyrtare në aktivitete partiake, sepse nuk është shembull i mirë, por kjo po shihet se po ndodh nga të gjitha partitë. Nuk mund të thotë sot dikush në opozitë se ‘këta po i keqpërdorin veturat zyrtare’ kur edhe vetë ishin në pushtet e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk duhet të keqpërdoren taksat e qytetarëve.

“Epoka e re”: Kandidati për kryeministër nga koalicioni juaj, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje kundërkandidatëve për një debat televiziv. Mendoni se mund të ndodhë?
Hoxha: Si ide është shumë e mirë, sepse qytetarët e kanë mundësinë ta shohin njohurinë e të gjithë kandidatëve që garojnë për kryeministër. Pra, do të ishte diçka e mirë të ndodhte një debat i përbashkët mes kandidatëve për kryeministër, por unë mendoj se nuk mund të ndodhë sepse përplasjet mes liderëve janë aq të mëdha saqë hezitojnë të përballen në një debat. Z. Limaj nuk e ka problem këtë gjë, sepse po ta kishte problem nuk do ta kishte propozuar. Opinioni e di se z. Limaj është një lider bashkues. Në shumë raste të rëndësishme për vendin e ka treguar vetën.

“Epoka e re”: Çfarë qeverie prisni pas 6 tetorit?
Hoxha: E ka potencuar edhe lideri ynë, se pas 6 tetorit Kosovës i duhet një qeveri reformatore. Vendin e presin shumë tema të mëdha. Një prej tyre është dialogu me Serbinë që kërkon një përmbyllje të këtij procesi. Prioritete të tjera të Nismës në qeverinë e ardhshme, pos dialogut, janë edhe politika e jashtme, bujqësia, zhvillimi ekonomik dhe paketa sociale. Prandaj, Kosovës i duhet një lider si z. Limaj që u bënë ballë këtyre temave, një lider që është bashkues, një lider që nuk e lë vendin në bllokadë vetëm për kalkulime partiake. Më 6 tetor qytetarët duhet t’ia japin besimin kandidatit tonë për kryeministër, z. Limaj.

“Epoka e re”: Çka nëse nuk e merr koalicioni Nisma-AKR-PD besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin? Cili do të jetë qëndrimi i Nismës për këto tema? A do të bëheni pjesë e qeverisë?
Hoxha: Ne jemi të bindur se do të jemi fitues si koalicion sepse e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër. Nëse ndodh e kundërta, sigurisht se ne do të jemi koalicioni përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme.
Z. Limaj para disa ditësh u ka shkruar një letër të gjithë kandidatëve për kryeministër sa i përket dialogut me Serbinë. Nisma Socialdemokrate pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës, që së bashku me miqtë ndërkombëtarë të përmbyllet dialogu me Serbinë. Pra, pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare, interesi i Kosovës është mbi të gjitha. Nisma Socialdemokrate do ta japë kontributin e vet në përmbylljen e këtij procesi.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DJ Tiwsto është martuar me të dashurën e tij, modeluesen…