Projekti “KosAgri” ndikoi në zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor
Ka përfunduar projekti “KosAgri”, i cili kishte për qëllim të ndihmojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) në ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor përmes përafrimit të ligjeve me standardeve evropiane.
Ky projekt ka bërë që të ngritën 500 metra katrorë me sera, të sjellë pajisje laboratorike në vlerë 200 mijë euro dhe të mbajë shumë trajnime për zyrtarët e MBPZhR-së.
Në përmbyllje të këtij projekti, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, ka thënë se projekti “KosAgri” kishte për qëllim ta ndihmojë Ministrinë e Bujqësisë që të ndihmojë në zbatimin e iniciativave, aktiviteteve dhe rregullimin e ligjeve për integrimin e Kosovës në BE.
“KosAgri është një akronim i një projekti, i cili ka për qëllim përforcimin e dijes dhe aftësive të Ministrisë së Bujqësisë dhe arritjes së standardeve të BE-së në këtë fushë. Ky projekt është projekt afatgjatë, i cili është udhëhequr në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe është financuar nga fondet e bashkëpunimit italian të Agjencisë Italiane për Kooperim dhe Institutit në Bari. Qëllimi i këtij projekti ishte që ta ndihmojë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në implementimin e iniciativave dhe aktiviteteve në territorin e Kosovës për të ndihmuar në lehtësimin dhe rregullimin e ligjeve për integrimin e Kosovës në BE”, ka thënë Sardi.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, u shpreh falënderues për ndihmën e dhënë përmes këtij projekti në forcimin dhe profesionalizimin e laboratorëve bujqësorë.
“Në mes të rezultateve të shumta, kam shumë respekt për punën që është ndërmarrë në përpilimin e ligjeve për bujqësinë organike, për ligjin e mbrojtjes së bimëve, ligjin për brejtësit dhe dëmtuesit e ndryshëm, për ndërmarrjen e sistemit të suksesshëm të importit dhe eksportit dhe trajtimit inspektorial në pikat kufitare, të cilat do ta rrisin efektivitetin”, ka thënë ministri Rikalo.
Drejtori i Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Nino Merola, ka thënë se puna që është kryer në Kosovë përmes projektit “KosAgri” është kualitative.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Agronomik Mesdhetar me seli në Bari të Italisë (CIHEAM), Maurizio Raeli, e ka vlerësuar tepër të nevojshëm zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor përmes përafrimit të kualitetit.
Sipas tij, ky projekt ka ngritur kapacitetet institucionale, pasi janë zhvilluar 31 vizita institucionale dhe janë realizuar punëtori teknike.
Pos këtyre, Raeli ka bërë me dije se janë investuar 200 mijë euro në pajisje laboratorike, janë ngritur 500 metra katror sera dhe janë punuar 2 hektar tokë. “KosAgri ka kontribuar edhe për përforcimin e shërbimit kombëtar fitosanitar për të forcuar laboratorët referues. ‘KosAgri’ ka përmirësuar sektorët e verës dhe sektorët e vreshtarisë. Po ashtu, ‘KosAgri’ ka harmonizuar dy ligje me standarde evropiane”, ka thënë ai.
Nga ky projekt kanë përfituar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Departamenti i Politikave Bujqësore dhe Tregtisë pranë MBPZhR-së, Instituti i Kosovës për Bujqësi në Pejë dhe Departamenti i Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Rahovec.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve dhe departamenteve kanë shpalosur përfitimet që kanë pasur nga implementimi i projektit “KosAgri”.