
Projekti TDS, hapësirë për zhvillimin e futbollisteve të reja
Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon me përkushtim projektin zhvillimor “Talent Development Scheme –TDS), i cili tash e tri vite synon të ndihmojë vajzat e reja në rrugëtimin e tyre drejt futbollit elitar.
Ky program ka në fokus gjeneratat më të reja dhe këtë vit janë përfshirë lojtaret e lindura në vitet 2011, 2012, 2013 dhe 2014.
Sot për ditën e dytë më radhë u mbajt aktiviteti i këtij projekti, teksa përgjegjësja Sanije Krasniqi theksoi rëndësinë e këtij programi, duke shpjeguar se vajzat e përzgjedhura do të punojnë gjatë një viti të tërë me trajnere të licencuara.
“Ky projekt i ndihmon lojtaret e reja të zhvillohen në mënyrë sa më të plotë, jo vetëm si futbolliste, por edhe në aspektin fizik, psikologjik, social, teknik e taktik. Ne jemi shumë të lumtur që kemi një numër kaq të madh vajzash të angazhuara në këtë projekt. Gjithçka realizohet në bashkëpunim me klubet e futbollit të vajzave, me të cilat jemi vazhdimisht në kontakt, me synim të masivizimit të futbollit”, u shpreh Krasniqi.
Entuziazmi i pjesëmarrëseve në këtë projekt reflektohet nga përvojat e lojtareve të reja. Njëra prej tyre, Era Sopi, ndau përvojën e saj pozitive gjatë një viti në këtë projekt:
“Jemi duke kaluar shumë mirë. Është dita e dytë e stërvitjeve dhe kam pasur mundësi të takoj shumë lojtare nga të gjitha ekipet në Kosovë. Kam qenë pjesë e këtij projekti për një vit dhe më ka ndihmuar shumë në përmirësimin e lojës sime”, tha ajo.
Me këtë projekt, FFK-ja synon jo vetëm ngritjen e cilësisë së lojtareve të reja, por edhe krijimin e një baze të fortë për të ardhmen e futbollit të vajzave në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve trajneret e përfshira në projektin TDS do të përzgjedhin nga 23 talente nga secila gjeneratë, me të cilat më pas do të punojnë deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.