
“Prokurorët e Hagës deklaruan se po gjykohet UÇK-ja”, Trendafilova: S’mund të flas në emër të tyre
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë të gjatë ka folur për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjatë procesit gjyqësor, dy prokurorët, Jack Smith dhe Matt Halling kanë deklaruar se krimet e UÇK-së janë çështje qendrore në këtë gjykim, pra po gjykohet UÇK-ja dhe jo individët.
Trendafilova u pyet për këtë por çuditërisht përsëri e mohoi deklarimin e prokurorëve, pavarësisht se këta të fundit e ndërtuan akuzën. Deklarimet në publik dhe brenda procesit gjyqësor dallojnë.
RTK: Fillimisht ju keni deklaruar se po gjykohen individët dhe jo UÇK-ja. Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët Jack Smith dhe Matt Halling kanë deklaruar krimet e UÇK-së janë çështje qendrore në këtë gjykim, pra po gjykohet UÇK-ja. Pse në publik dhe gjatë seancave gjyqësore ndryshojnë deklarimet?
Trendafilova: Nuk mund të flas për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sepse është institucion i pavarur. Megjithatë, pavarësisht nga deklaratat e tyre, Dhomat e Specializuara merren vetëm me hetimin dhe ndjekjen penale të personave në lidhje me pretendime për veprime të paligjshme të tyre, domethënë përgjegjësinë penale individuale të tyre. Pra, Dhomat e Specializuara vënë para përgjegjësisë vetëm individë, jo organizata. Kjo do të thotë se, në qoftë se në sallë të gjyqit përmenden si individë anëtarë të UÇK-së që pretendohet se kanë kryer vepra penale, kjo ka të bëjë vetëm me personat si individë dhe jo me të gjithë organizatën.