
Prokurorët e Speciales i kanë hedhur në pleh gojëdhënat e Dick Martyt
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt për UÇK-në.
Ajo ka thënë se Specialja s’mund të zhbëhet nga organet që nuk e kanë krijuar këtë, sepse ky është parim juridik.
Megjithatë, Osmani ka thënë se lufta e UÇK-së, s’mund të zhbëhet nga askush.
“Rezolutat shprehin vullnetet politike. Ekziston një parim juridik bazik, që një akt mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush. Historinë nuk do të mund ta ndryshojë askush pavarësisht përpjekjeve. Kosova s’ka pasur kurrë çfarë të fsheh, sepse ajo e ka mbrojtur veten nga një regjim gjenocidial i Millosheviqit”.
“Konfirmimin tonë për pastërtinë e luftës çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe s’mund të prisni përshëndetje për një ditë të veçantë. Çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën, ne e nderojmë secilin çlirimtar. Ne vazhdimisht kemi konfirmuar një të vërtetë që asnjëherë s’mund të ndryshohet nga askush”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Dick Marty ka tentuar të shtrembërojë të vërtetën që kanë ndodhur në Kosovë.
“Dick Marty ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. Por, përgjigjen e ka marrë nga vet prokurorë të Speciales. Prokurori Williamson thotë se nuk ka argumente për trafikim të organeve. Prokurorët e Speciales i kanë hedhur në pleh ato gojëdhëna të Dick Martyt”.
“Ne nuk harrojmë se kush insistonte dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohet Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë Osmani.