Prokurori i rastit Banjska, Naim Abazi, merr pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në SHBA
Prokurori special dhe udhëheqësi i rastit Banjska, Naim Abazi, me origjinë nga fshati Zasellë i Mitrovicës, është renditur ndër personalitetet botërore që kanë marrë pjesë në aktivitetin prestigjioz “Lutjet e Mëngjesit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abazi konsiderohet një nga prokurorët më kredibilë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke u vlerësuar për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e tij si nga institucionet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.
Ai ka udhëhequr një nga hetimet më komplekse dhe më të ndjeshme për sigurinë e vendit – rastin e sulmit të armatosur në Banjskë. Në kuadër të këtij rasti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, ndërsa i akuzuari kryesor është Milan Radoiçiq.
Pjesëmarrja e prokurorit Abazi në këtë ngjarje ndërkombëtare shihet si një vlerësim i rëndësishëm për rolin dhe kontributin e tij profesional, si dhe për përfaqësimin e institucioneve të drejtësisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare.



