
Prokurori tërhiqet nga ndjekja penale e Safet Krasniqit, shkak mungesa e provave
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) më 24 dhjetor 2020, ka pranuar aktgjykimin me numër 2019:291344, të marrë me datë 11 dhjetor 2020 nga Departamenti Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Lajmi është bërë me dije nëpërmjet një njoftimit nga ATK-ja. “Në këtë aktgjykim Prokurori i Shtetit në mungesë të provave, tërhiqet nga ndjekja penale kundër të akuzuarit z. Safet Krasniqi, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i njëjti ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, apo që nuk i ka përmbushur detyrat e tij të përcaktuara me ligj. Tutje në këtë aktgjykim thuhet se z. Krasniqi nuk i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës. Bazuar në këtë aktgjykim është vërtetuar se zyrtari në fjalë i akuzuar ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe të gjitha veprimet janë bërë në koordinim me prokurorin e çështjes dhe se i njëjti ka qenë i përfshirë dhe i njoftuar për të gjitha veprimet e inspektorëve hetues”, ka njoftuar ATK-ja.
ATK-ja ka bërë me dije për opinionin publik se rasti ka të bëjë me aktakuzën të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës numër 09/19. “ATK njofton opinionin publik se veprimet e ndërmarra nga zyrtaret e ATK-së lidhur me këtë rast, por edhe për rastet e mëhershme të zyrtarëve të hetuar të bëra publike në media, kanë qenë në harmoni të plotë me ligjin”, ka njoftuar ATK-ja.