Prokuroria e Mitrovicës dhe Gjykata e Prishtinës me performancë të dobët

15 mars 2022 | 16:07

Lëvizja Fol ka publikuar raportin “Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 (analizë statistikore)”, i cili e adreson çështjen e performancës dhe efikasitetit të shkallës së parë të sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar-dhjetor 2021, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2021, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, Fol ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen Fol ka prezantuar gjetjet kryesore të këtij raporti.

Ajo ka thënë se bazuar në të dhënat e përgjithshme statistikore të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe është Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve (120  për qind), normën më të lartë të qarkullimit të lëndëve (4.29 për qind) si dhe kohën më të shkurtë të nevojshme për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin ngelur të pazgjidhura. “Me fjalë të tjera, nga 90 lëndë të korrupsionit sa ka pasur në punë kjo prokurori, ka arritur të zgjidh 73 prej tyre, apo 81 për qind”, ka thënë Hasani.

Ndërkaq prokuroria me rezultatet më të dobëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 (njëjtë sikurse në vitin 2020) ishte Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Hasani ka treguar se kjo prokurori gjatë kësaj periudhe ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve (0.26), normën më të ulët të zgjidhjes së lëndëve (44 për qind) si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara (2.96). “Me fjalë të tjera, nga 133 lëndë sa kjo prokurori ka pasur në punë gjatë këtij viti, ka arritur të zgjidh vetëm 28  prej tyre, apo vetëm 13 për qind të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë”, është shprehur ajo.

Ndërsa rezultatet më të dobëta në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë vitit 2021 i ka arritur Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila nga 197 lëndë sa ka pasur në punë në vitin 2021, ka arritur të zgjidh vetëm 34 prej tyre, apo vetëm 17 për qind. “Kjo gjykatë gjatë kësaj periudhe e ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve (0.20), indeksin më të lartë të grumbullimit të lëndëve (4.61), si dhe kohën më të gjatë për zgjidhjen e lëndëve që këtë vit kishin ngelur të pazgjidhura”, ka thënë Hasani.

Ndërsa sa i përket gjetjeve në lidhje me sistemin gjyqësor, Hasani ka theksuar:  “Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021 i kanë pasur në punë gjithsej 383 lëndë të korrupsionit (281 prej të cilave kanë qenë të trashëguara nga viti paraprak dhe 102 lëndë të reja të krijuara gjatë vitit), ndërsa kanë arritur të zgjidhin vetëm 108 lëndë, apo 28 për qind të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë”.

Sipas saj, 73 për qind e lëndëve të korrupsionit që kanë qenë në punë gjatë vitit 2021, përkatësisht 281 lëndë, ishin trashëguar nga vitet paraprake.

Sipas këtij raporti, gjykatat themelore gjatë vitit 2021 kanë nxjerrë 59 aktgjykime fajësuese, 26 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 19 lëndë janë zgjidhur në mënyra tjera. Nga aktgjykimet fajësuese, për pjesën më të madhe të tyre, përkatësisht për 31 lëndë, janë shqiptuar dënime më gjobë, ndërsa për 22 lëndë janë shqiptuar dënime me burg dhe për 6 lëndë dënime me kusht.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas agresionit…