Prokuroria, falsifikon dhe trillon prova!

11 shkurt 2026 | 16:24

Shkruan: Prof. dr. Agim R. ZOGAJ

Objektivi: kundër shtetësisë së Kosovës

Propozimi i Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë, për dënimin e krerëve të UÇK-së, me të drejtë ka nxitur indinjatë, trazim të thellë në Kosovë dhe në mbarë shqiptarinë. Ky propozim, rikonfirmoi qëllimet meskine, krejtësisht në shërbim dhe në favor të politikës së Serbisë, qëllime këto, jashtëzakonisht të rrezikshme të Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë, kundër çlirimtarëve të Kosovës. Objektivat e Prokurorisë në Hagë, në thelb janë kundër shtetësisë së Kosovës! Propozimi për dënim, është krejtësisht i qëllimshëm, dhe ka për objektiv, jo vetëm katër personalitetet e UÇK-së, por, shkon përtej denigrimit të autoritetit të tyre. Për më tepër, përmes insinuatave, shtrembërimit, fallsifikimit të dëshmive, përpunimit të dëshmitarëve serbë dhe atyre shqiptarë, kjo Prokurori po dëshmon se, objektivi fundamental i saj është shtrembërimi i historisë së vërtetë të luftës çlirimtare, vetëmbrojtëse të popullit të Kosovës me në krye UÇK-në. Por, që në fillim ta themi hapur se, në këtë prizm, po ndodhë, vetëposhtërimi i Prokurorisë në Gjykatën Speciale, dhe, ajo do të delë e turpëruar!

Me këtë propozim, kërkesë, Gjykata Speciale në Hagë, më konkretisht, Zyra e Prokurorisë Speciale, e cila nuk ka prova, katërcipshi ka shkelur mbi vullnetin e popullit të Kosovës, të Kuvendit të Kosovës i cili, megjithatë, edhe me presion ndërkombëtar, e kishte votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo, me motivin se, edhe miqtë tanë ndërkombëtar po na kërkojnë këtë vendim, me arsyetimin se “…duhet larguar retë” të cilat janë ngritur mbi historinë e luftës së Kosovës. Po kush i ngriti ato re, përveç Serbisë ? Katër krerët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, me një urti të jashtëzakonshme, me edukatën dhe qytetërimin e tyre, në emër të interesit të popullit, të Kosovës i dorëzuan detyrat shtetërore dhe, sipas thirrjës së Aktakuzës, shkuan për tu syrgjynosur, në dhomat e paraburgimit, në Hagë! Shkuan për tu përballur, me Aktakuzën, e ngritur mbi Raportin shpifës të Dick Martyt në bashkëpunim me shtetin serb dhe aleatët e saj. Specialja e di fare mirë se, historia e gënjeshtrës, e spekulimit për një farë “Shtëpie të Verdhë” dhe “përrralla” serbe për gjoja trafikim të organeve, e sajuar në Raportin e Dick Martyt ishin trillime, fallsifikimet më idioteske, më të ndyra, më amorale! Edhe Raporti i amerikanit, Wiliamson, botërisht i tha Gjykatës Speciale se, “Shtëpia e Verdhë” dhe gjoja, “trafikimi i organeve” nuk kishin dëshmi, përkundrazi, ishin një mashtrim ordiner i Dick Martyt, i shtetit serb, përkrahur nga shërbimet sekrete ruse, përkatësisht, nga eurodeputeti rus, Konstantin Kosaçev! Carla Del Ponte, Dick Marty, Konstantin Kosaçev, janë antiamerikan, ndaj, kërkesën e Zyrës së Prokurorit Special, për dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duhet ndërlidhur si, kundërvënie e hapur ShBA-së, aleatit tonë më besnik!

Po shkelen standardet ndërkombëtare të drejtësisë

Zyra e Prokurorit Special, duke e pa të pamundur që, propozimin për dënimin e katër çlirimtarëve të UÇK-së, ta arsyetojë mbi bazën e fakteve, dëshmive, propozoi dënimin e tyre me një kohëzgjatje burgu, që, nuk e mban mend asnjë gjyq i historisë modern, për krime lufte! Me këtë propozim vetëposhtërues të Zyrës së Prokurorit Special u shkelën standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Ky propozim, dëshmon ndikimin e qarqeve politike, në radhë të parë të Serbisë, të Rusisë, dhe aleatëve të tyre në BE, ndërkohë që, u shkel legjitimiteti dhe paanshmëria e këtij procesit gjyqësor. Prandaj, edhe motoja e Protestës mbarëkombëtare e caktuar për datë, 17 shkurt 2026, është, Drejtësi dhe jo politikë! Sepse, Zyra e Prokurorit Special, me paraqitjen e saj, po rrëshqet, jo vetëm në padrejtësi juridike, por, edhe në falsifikim moral të historisë

Më tej, Zyra e Prokurorit Special me propozimin për dënimin e katër çlirimtarëve, drejtpërdrejt pretendon, sipas politikës shtetërore të Serbisë, ta deskriditojë, anatemojë luftën çlirimtare të popullit trim të Kosovës, luftë mbrojtëse, të cilën e drejtoi, e udhëhoqi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në këtë pikëvështrim, Zyra e Prokurorit Special, në mënyrën më brutale atakon luftën tonë çlirimtare, luftën për çlirimi nga sundimi kolonial serb, luftën për ta shpëtuar popullin, nga gjenocidi i shtetit serb! Zyra e Prokurorit Special, shtihet sikur nuk e di se, ushtria serbe, falangat e njësiteve paraushtarake serbe, vranë mbi 14.000 shqiptarë civilë, ndër ta, edhe 1550 fëmijë, më i vogli, gjashtmuaj i familjës Muçolli në Poklek të Drenast! Le ta gjejë, Zyra e Prokurorit Special dhe Trupi Gjykues një të vetmin rast të lëndimit ose të një shuplake të dhënë të cilitdo fëmijë serbë e malazezë në kohë lufte?! Le ta gjejë, dokumentojë, Zyra e Prokurorit Special dhe Trupi Gjykues, një të vetmin rast kur, gjatë luftës së Kosovë, u “lëndua”, apo për më keq, të jetë “dhunuar” një serbe apo malazeze?! UÇK, ushtri me dinjitet dhe fisnikëri të traditës shqiptare, madje, i mbrojti serbët kosovarë nga çfarëdo masakre që, kishin planifikuar ta bënin falangat parushtarake serbe, për t’ju lënë fajin shqiptarëve! Lufta e popullit të Kosovës, nën udhëheqjen e të përndriturës, UÇK, ishte luftë kundër pushtimit kolonial të Serbisë, luftë e urdhëruar edhe nga Zoti!

Prandaj, Zyra e Prokurorit Special, Trupi gjykues në Gjykatën e Hagës, shpresojmë ta kuptojnë se, në këtë proces të montuar gjyqësor, djemtë e çlirimit, lirisë, pavarësisë dhe të shtetformimit të Kosovës nuk janë lënë të vetëm, por, me ta është dhe do të jetë i mbarë populli fisnik i shtetit tonë, mbarë shqiptaria! Me këtë rast, zëri i popullit të Kosovës, dhe gjithnjë e gjithmonë, derisa çlirimtarët të kthehen të pafajshëm në Atdhe, do të jetë zëri, mendja, shpirti i bashkëkombasve, i vëllëzërve tanë! Beteja politike, morale, vazhdon, në këtë epokë para gjyqit, për pafajësinë e tyre, për fitoren e Kosovës, të kombit mbarë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa në Dhomat e Specializuara po zhvillohet dita e tretë…