Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

24 shtator 2025 | 11:40

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e udhëhequr nga prokurorja Kimberly West, ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin.

Në kërkesën e dorëzuar më 22 shtator 2025, ZPS-ja ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer vepra penale që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Për ta mbështetur këtë arsyetim, ZPS-ja është bazuar edhe në vendimin për konfirmimi e aktakuzës në këtë rast. Sipas tyre, asnjë rrethanë tjetër nuk ka ndodhur që prej atij vendimi që mund ta ndryshojë këtë përcaktim.

Për Thaçin, ZPS-ja ka thënë së është i vetëdijshëm për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij dhe se ai e di që në rast që shpallet fajtor, do të dënohet me burgim të gjatë. Përveç kësaj, Prokuroria, rrezikun e arratisjes së Thaçit e arsyeton edhe me akuza e konfirmuara ndaj tij që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Përveç kësaj, ZPS-ja ka thënë se Thaçi paraqet rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces dhe se përfundimi i çështjes së Prokuroria dhe mbrojtësit të viktimave nuk e zhduk këtë rrezik.

Sipas prokurorisë, dëshmitarët mbeten të rrezikuar që të ndikohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre; si përpjekje për hakmarrje, ose nxitje për të tërhequr dëshminë apo përpjekje për të ndërhyrë në procedura paralele.

Gjithashtu, prokuroria ka përmendur edhe pretendimet e saj se Thaçi ka shkelur edhe urdhrat gjyqësor duke nxjerrë informacione konfidenciale lidhur me procedurat dhe dëshmitarët tek persona të tjerë.

“Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një ‘rrethanë kontekstuale’ të rëndësishme. Gjetje të ngjashme janë bërë në aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në Aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë’”,  është thënë në parashtresën për ZPS-së.

Përveç kësaj, ZPS-ja është mbështetur edhe në dëshminë e ekspertit të mbrojtjes në çështjen ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Robert Reid, i cili kishte theksuar se në mbi 20 vjet në fushën e tij, nuk kishte parë kurrë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë.

Sipas prokurorisë, kjo klimë e frikësimit të dëshmitarëve vazhdon të ekzistojë në Kosovë edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre duke iu referuar edhe raportimeve në media në Kosovë.

Kërkesën e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, ZPS-ja mbështetët edhe me arsyetimin se i akuzuari ka rrezik të kryejë edhe vepra të tjera penale.

Si rrjedhojë, ZPS-ja ka thënë se asnjë prej kushteve alternative nuk i zbusin rreziqet ekzistuese në këtë proces dhe se vazhdimi i paraburgimit ndaj Thaçit është i arsyeshëm dhe proporcional.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa pas tij është thirrur ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e ka përfunduar më 23 shtator 2025. /Betimi për Drejtësi

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot u bënë dy vite nga rënia heroike e policit…