Prokuroria na ka futur në qorrsokak

18 shtator 2018 | 16:06

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka kritikuar prokurorinë për përfshirjen e veteranëve të vërtetë në listën e “veteranëve të rrejshëm”. Ai ka deklaruar se me këtë veprim prokuroria këtë proces e ka shpënë në një qorrsokak, duke krijuar mosbesim në organet e drejtësisë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gucati ka thënë se në këtë proces nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë as politika. “Besimin tonë nuk mund ta lëkundin këto gabime, mirëpo e keqja është se me këto veprime të gabuara prokuroria na ka futur në qorrsokak. Këtu nuk mund të shpëtojë as politika nga përgjegjësia. Në këtë drejtim edhe politika ka faj, sepse ka mundësi se në prokurori ka ndërhyrë edhe politika. Tani unë, bashkëluftëtarët e mi dhe qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të frikësohen nga drejtësia. Mund të gabohet me një njeri ose dy, por jo të bëhen mijëra gabime”, ka thënë Gucati.

Ai ka treguar se gjatë ditës së hënë mbi 1 000 veteranë të vërtetë kanë treguar në zyrat e OVLUÇK-së se janë gjendur në listat e publikuara. “Prej mëngjesit të ditës së hënë, në degët tona në gjithë Kosovën dhe këtu në qendër mbi 1 000 veta veteranë të vërtetë të UÇK-së janë lajmëruar se u ka dalë emri në këto lista”, është shprehur Gucati. Më tej, ai ka treguar edhe si mund të zgjidhet ky problem. Gucati i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi. “Këtë problem duhet ta zgjidhim bashkërisht, politika, prokuroria dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Unë i bëj apel edhe politikës, prokurorisë dhe institucioneve të tjera, si dhe organizatave të dala nga lufta, që t’i bashkojmë forcat dhe ta zgjidhin këtë problem njëherë e përgjithmonë. Ne kërkojmë nga politika, nga Qeveria e Kosovës, që ta fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me Ligjin e veteranëve të luftës së UÇK-së”, ka thënë Gucati.

“Epoka e re”: Z. Gucati, pas ngritjes së aktakuzës është bërë edhe publikimi në medie i listave me emra të veteranëve që, sipas prokurorisë, janë të rrejshëm. Cili është komenti juaj si kryetar i OVLÇK-së?
Gucati: Edhe mua më ka habitur publikimi i listave. Në prokurori kam pasur një besim të fortë se do t’i zbardhë të gjitha rastet, mirëpo tash edhe neve na i ka pështjellë pak punët. Në ato lista ka shumë emra të veteranëve të vërtetë që i njoh edhe personalisht në Polac, Morinë, Rezallë, Kryshefc dhe fshatrave përreth. Mendoj se kjo që ka bërë prokuroria është një dobësi e madhe. Kështu që, edhe më tutje jam optimist se prokuroria do t’i përmirësojë gabimet që i ka bërë. Mendoj se në këtë rast është ngutur prokuroria që ka lejuar të bëhen listat publike duke e shkelur privatësinë e këtyre personave.

 “Epoka e re”: Çfarë mendoni se duhet të bëjë tash prokuroria, meqenëse po pretendohet se ka shumë gabime?
Gucati: Prokuroria jo vetëm se duhet në mënyrë sa më të shpejtë t’i bëjë këto përmirësime, por duhet të kërkojë falje publike ndaj këtyre individëve, emrat e të cilëve u njollosën, kurse mundi dhe sakrifica e tyre u përlyhen në një listë, kinse ata kanë qenë veteranë të rrejshëm. Ndihem i zhgënjyer nga prokuroria se si ka arritur të bëjë gabime të tilla. Kjo është një fyerje për veteranët e vërtetë, sepse as familjarët dhe miqtë e tyre sot nuk ndihen mirë. Tashmë as fëmijët e veteranëve në shkolla nuk e ndiejnë veten mirë, ndonëse baballarët e tyre kanë qenë luftëtarë të UÇK-së prej fillimit deri në përfundim të luftës.

“Epoka e re”: Keni kërkuar ndonjë sqarim nga prokurori se pse ka ndodhur ky publikim i listave në medie?
Gucati: Ne tashmë e kemi dërguar avokatin tonë si OVLUÇK në Prokurorinë Speciale, z. Gafurr Elshani. OVLUÇK-ja nuk mund të pajtohet me publikimin nga ana e medieve të listave të ‘veteranëve të rrejshëm’ të hartuara nga ana e Prokurorisë së Kosovës. Ne kërkojmë nga prokuroria ta sqarojë opinionin se si ka ardhur deri te hartimi dhe publikimi i saj në mediet publike. Duam të dimë se nga kush kanë rrjedhur këto lista, prej gjykatës apo prej prokurorisë.

“Epoka e re”: Pas publikimit të këtyre listave kemi parë reagime të shumta nga ish-komandantë të UÇK-së, degë të OVLUÇK-së dhe personaliteteve të ndryshme. Është përmendur mundësia e ndonjë padie ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj, si dhe mundësia e protestave. Do të merrni ndonjë veprim ju si OVLUÇK?
Gucati: Çdoherë kam thënë se nuk jam ithtar i protestave. Po ashtu, kam thënë se nuk duhet ta pengojmë prokurorinë në këtë proces. Duhet t’ia lëmë duart e lira prokurorisë për këtë çështje, sepse ajo është pushtet i ndarë dhe nuk duhet të ndikohet nga askush. Ne nuk do të protestojmë tani, por i bëjmë thirrje prokurorisë që këto lista t’i pastrojë sa më shpejt dhe të kërkojë falje publikisht për shokët tanë që ua ka vënë emrat në këto lista. Ne tani presim të dimë se kush i ka publikuar këto lista, prokuroria apo portalet, pa dijeninë e prokurorisë, dhe të ngrehim padi ndaj tyre.

“Epoka e re”: Këto gabime të prokurorisë e kanë lëkundur besimin se këtë proces do të mund ta përfundojë në mënyrë të drejtë?
Gucati: Besimin tonë nuk mund ta lëkundin këto gabime, mirëpo e keqja është se me këto veprime të gabuara prokuroria na ka futur në qorrsokak. Këtu nuk mund të shpëtojë as politika nga përgjegjësia. Në këtë drejtim edhe politika ka faj, sepse ka mundësi se në prokurori ka ndërhyrë edhe politika. Tani unë, bashkëluftëtaret e mi dhe qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të frikësohen nga drejtësia. Mund të gabohet me një njeri ose dy, por jo të bëhen mijëra gabime.

“Epoka e re”: Sa veteranë të vërtetë ju kanë lajmëruar juve që u ka dalë emri në këto lista?
Gucati: Prej mëngjesit të ditës së hënë në degët tona në gjithë Kosovën dhe këtu në qendër mbi 1 000 veteranë të vërtetë të UÇK-së janë lajmëruar se u ka dalë emri në këto lista. Kemi diku dhjetëra komandantë të kompanive dhe togjeve që na kanë lajmëruar që emrat e tyre gjenden në këto lista. Po ashtu, përmbi 60 invalidë të UÇK-së janë lajmëruar se emrat e tyre gjenden në këto lista. Vetëm në zyrën time të hënën i kam pasur rreth 150 veta që janë ankuar për këtë çështje. Të gjitha këta janë të pajisur me dokumentacione, nga viti 1999 dhe deri me certifikatën e fundit që kanë marrë.

“Epoka e re”: Për këtë gjendje e fajësuat edhe politikën. Në çfarë kuptimi e bëni përgjegjës politikën në këtë proces?
Gucati: E vërteta është se politika është përzier edhe gjatë verifikimit të këtij procesi. Politikanë ta caktuar edhe publikisht e kanë përmendur se janë përzier gjatë verifikimit të veteranëve, duke treguar se kanë bërë lëshime. Tani edhe ne po dyshojmë se edhe politika është e përzier në këtë proces. Kjo është fyerja e dytë që po u bëhet veteranëve të UÇK-së. Fyerja e parë ka qenë në fillim kur i kanë përzier veteranët e vërtetë me ata jo të vërtetë dhe tani që vetë shteti, në këtë rast prokuroria, i ka fyer duke i cilësuar veteranët e vërtetë si të rremë.

“Epoka e re”: Si mund të zgjidhet ky problem? Kemi pasur deklarime të politikanëve të caktuar se këtë çështje nuk mund ta zgjidhë vetëm prokuroria.
Gucati: Këtë problem duhet ta zgjidhim bashkërisht, politika, prokuroria dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. I bëj apel edhe politikës, prokurorisë dhe institucioneve të tjera, edhe organizatave të dala nga lufta, që t’i bashkojmë forcat dhe ta zgjidhin këtë problem njëherë e përgjithmonë. Ne kërkojmë nga politika, nga Qeveria e Kosovës, që të fillojë rivlerësimi i gjithë këtij procesi me anë të një komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me Ligjin e veteranëve të luftës së UÇK-së. Mendoj se kjo do të ishte më pak e kushtueshme dhe prokuroria do të lirohet në punën e saj.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka cilësuar kundërshtarin e…