Prokuroria nis hetimet ndaj anëtarëve të QNR-së në Dragash
Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash. Hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike dhe po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, me autorizim të kryeprokurorit Petrit Kryeziu.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria tashmë është duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore në territorin e Komunës së Dragashit. Dyshimet lidhen me vepra penale të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës së votimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të publikojë një komunikatë shtesë mbi zhvillimet e mëtejshme hetimore.



