Prokuroria pretendon se aktgjykimi i Themelores ka shkelje ligjore, mbrojtja propozon që të vërtetohet aktgjykimi lirues ndaj Gavrilo Milosavleviq
Në Gjykatën e Apelit të hënën u elaboruan ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Gavrilo Milosavleviq u lirua nga akuza për masakrën e Dubravës.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores ka parashtruar Prokuroria Speciale për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore dhe vërtetimit të gabuar e jo të plotë të gjendjes faktike, duke kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe i akuzuarit të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit ose lënda të kthehet në rigjykim. Ndërsa, përgjigje në ankesë ka parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Milosavleviq, avokati Dejan Vasiq, duke propozuar që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të refuzohet ankesa e Prokurorisë.
Në këtë seancë, i dëmtuari Nait Hasani kërkoi dënimin e të akuzuarit. Tha se kundërshton vendimin e Themelores dhe ndjen keqardhje për trupin gjykues që mori aktgjykim lirues. Ndërsa, i dëmtuari Visar Balloci tha se asnjëherë nuk e kanë ftuar në seancat e shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë, dhe sot është hera e parë që është ftuar në Apel. Kujtojmë se i akuzuari Milosavleviq nuk ishte i pranishëm në seancë. Gjyqtari Avni Mehmeti tha se të akuzuarit i është dërguar ftesë për seancë, por rezultoi se i njëjti është shpërngulur nga adresa në Istog.



