Prokuroria Speciale kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

25 gusht 2025 | 12:19

Prokuroria Speciale, pasi ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Lj.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:

– bashkim për veprimtari kundërkushtetuese,

– rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare,

– pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm,

–  sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.

Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një maicë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.

Prokuroria Speciale, garanton qytetarët e vendit, se mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë dhe ndjekjen e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë tri ditëve të fundit, policia në Prizren në katër…