Prokuroria Speciale mohon çdo ndërhyrje në proceset e KPK-së dhe në shkarkimin e Besim Kelmendit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar sot ndaj deklarimeve të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke i quajtur të pasakta pretendimet se Kryeprokurori i PSRK-së ka ndikuar në proceset vendimmarrëse të këtij institucioni.
Në njoftimin e saj, Prokuroria Speciale thekson se as institucioni dhe as Kryeprokurori nuk kanë ushtruar dhe as nuk mund të ushtrojnë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Sipas PSRK-së, çdo përpjekje për ta përfshirë këtë prokurori në debatet e brendshme të Këshillit dëmton integritetin e tërë sistemit prokurorial.
“Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.
Në fund, Prokuroria Speciale riafirmon angazhimin e saj për të vazhduar përmbushjen e detyrave me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe transparencë.



