Prokuroria Speciale publikon pamje nga arrestimi i prokurorit: Ndalohet për 48 orë
Prokurori i departamentit të përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.
Prokuroria Speciale, derisa ka njoftuar për masën e ndalimit ndaj prokurorit, ka publikuar pamje të arrestimit të tij.
“I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Gjatë bastisjes, Prokuroria Speciale ka theksuar se “janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”.
“Prokuroria Speciale, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, rithekson përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale korruptive”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.



