Promovohen botimet “Rea” dhe librat e parë të kësaj shtëpie botuese

22 dhjetor 2023 | 16:49

Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u promovuan pesë libra të rinj të Botimeve REA, ku morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e dashamirë të shumtë të librit.

Me këtë rast u promovuan librat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).

Aktivitetin e moderoi Rozafa Bashota, ku fillimisht falënderoi drejtoreshën e KultPlus Znj. Ardiana Pajaziti dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Rozafa, ndër të tjera, foli per projektet kryesore te Botimeve REA: “Padyshim se qëllimi ynë është të botojmë libra që janë në interes të lexuesve, si ata nga fusha e psikologjisë, letërsisë, libra biografikë, si dhe ribotime të autorëve të njohur të Kosovës që gjeneratat e reja kanë pak ose fare informacion për to.

Unë vetë jam nga fusha e Psikologjisë dhe e them me bindje që librat psikologjikë dhe përkthimet nga gjuhët e huaja do të jenë një shtesë e padiskutueshme e Botimeve REA. Përveç se janë të rëndësishëm ta ngrisim kulturën e leximit në vendin tonë, janë po ashtu të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijesimit për çështje të ndryshme psikologjike, të cilat për fat të mirë po iu shërbejnë lexuesve në vendin tonë në gjetjen dhe njohjen e vetvetes.

Një nga prioritetet e kësaj shtëpie botuese do të jenë edhe aktivitetet e ndryshme që ndërlidhen me arsimimin kulturor. Natyrisht bashkëpunimi me shkrimtarët dhe përkthyesit do të jetë një kaptinë me vete në realizimin e synimeve tona.

Do të përpiqemi që t’i ndjekim standartet më të reja në praktikën botuese me qëllim të afirmimit të së drejtës së autorit, në kthimin e dinjitetit të autorit, duke respektuar mundin e tyre krijues.”

Në vazhdim, Alketa Gashi, interpretoi poezitë: “Koha” dhe “Heshti” të Demë Topallit, tregimin “Te pllaka përkujtimore” të Binak Kelmendit, pjesë nga eseja “Misioni i Shkrimtarit” të nobelistit Elias Kaneti, prozën poetike “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë” të Sali Bashotës dhe poezitë “Ju jeni si qielli si dielli si hëna” dhe “Vetëm unë e kam emrin tim” të Afërdita Bashota-Podvoricës. Ndërsa me kitarë e përcolli Lind Bobi.

Librat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës.

Ky aktivitet promovues i Botimeve REA kishte një organizim të veçantë meqë secili nga autorët foli për krijimtarinë e vet letrare, e sidomos për librin që u promovua.

 

Fjala e autorit Demë Topalli:

Së pari, dua t’ju them që kisha dilema për botimin e këtij libri. Arsyeja është se kam botuar vetëm katër libra, “Vera e ikur” “Druri i fatit, “Haber i mirë” dhe “Sytë që dinë me pa” dhe distanca kohore e shkrimit dhe e botimit të tyre është bukur e madhe. Kështu, përzgjedhja dhe bashkimi i këtyre poezive në një libër më dukej punë jo e qëlluar. Mirëpo, megjithatë, libri “Mahnitja e parë’’ doli. Doli me insistimin e gjatë të mikut tim, Sali Bashotës. E falënderoj shumë për këtë.

Tutje do të flas shkurt, thjesht nisur nga përvoja ime krijuese, për përballjen e poetit me gjuhën dhe fjalët, kujtesën, për ndonjë përjetim që pas disa dhjetëra vjetësh vjen e bëhet poezi. Po e nis me fjalën gojëzanë, që vjen nga fëmijëria ime e hershme. Ndoshta shkaku që si fëmijë kam qenë paksa i druajtur dhe i mënjanuar, shpesh iu kam shmangur takimit dhe bisedave me njerëz. Një ditë prej ditësh, një grua e një familjeje fqinje me ne, thotë “ Moti s’e kam pa Demën, kurse një tjetër, plakë, ia pret: “Po ai nuk flet,  iu ka nxan goja”. Këtë ma ka thënë më vonë motra ime më e madhe se unë, që nuk jeton më. Shumë herë gjatë jetës m’u kanë kujtuar këto fjalë. Mirëpo, kurrë s’e kam besuar që ato, pas dhjetëra vjetësh, do të vijnë e do të shkrihen në një fjalë-figurë, me një tingëllim e domethënie tjetër.

Kisha shkruar poezinë me titullin “Kafaz”, një poezi për vetminë e krijuesit, që fillonte me këto tri vargje: “Prej një zjarri të lashtë malli/ Dhe copëza të thërrmuara kujtimesh/ Një mjeshtër i heshtur të ka bërë”/.  Fjala i heshtur këtu më dukej fort e zakonshme, gati e ligjërimit të pëditshëm. Kam persiatur gjatë për zëvendësimin e kësaj  fjale. Një ditë, derisa po mendoja rreth saj, m’u kujtuan fjalët e dikurshme iu ka nxan goja dhe ashtu vetvetishëm, aty për aty krijova nga këto fjalë fjalën-figurë, gojëzanë, që me kohë erdhi e u bë intime dhe e admirueshme për mua. E kam përdorur katër herë në kontekste të ndryshme në poezi.

Po e vazhdoj me poezinë “Koha”. Megjithë preokupimin tim të gjatë për të shkruar një poezi për kohën, poezia “Koha” vjen si fryt i leximeve. Megjithatë, ajo literaturë e paktë që kisha lexuar për kohën, më dukej abstrakte, tepër spekuluese, askund nuk e gjeta atë që do të më nxiste ta shkruaja këtë poezi, kështu që me kohë hoqa dorë nga kjo ide. Mirëpo pas dhjetë vjetësh, derisa po lexoja librin “Habia filozofike” të autores Zhanë Hersh, aty ku flitej për kohën, autorja thotë se askush s’është marrë më intensivisht me kohën sesa Shën Agustini, por edhe që ka thënë se po të më pyesni konkretisht, unë ç’është koha nuk e di. Falë këtyre fjalëve unë e shkrova poezinë “Koha“. Po të mos e kisha lexuar librin “Habia filozofike”, me siguri nuk do ta kisha shkruar kurrë poezinë “Koha”.

Edhe poezia “Heshti” e ka zanafillën gjithashtu nga rinia ime e hershme. Derisa në bahçe, nën hijen e një molle po lexoja librin ‘Vjersha dhe poema” të Sergej Jeseninit, përkthyer nga Esad Mekuli, si papritmas mu në fletët e librit ra një gjeth i thatë. S’ishte koha kur bie dushku, siç themi ne, ndaj më shkuan sytë te një degë e thatë e mollës. Dega e thatë, gjethi i thatë, i rënë në fletët e librit, qetësia absolute, krijuan tek unë disi habi, një atmosferë prekëse, medituese. Ky kujtim më ka shoqëruar pothuajse tërë jetën dhe falë tij, te poezia me titullin “Është një hapësirë”, e cila flet për hapësirat e fshehta e të ndritshme të krijuesit, janë krijuar vargjet “Është një hapësirë/Hapësirë prej një flakërimi të lashtë/Ku një lule çel edhe në degën e thatë/. Pothuajse pas pesëdhjetë vjetësh, në një moshë tjetër, kur njeriu preokupohet më shumë rreth të kaluarës, fëmijërisë, kalueshmërisë së jetës dhe vdekjes, falë atij përjetimi, falë asaj dege të thatë e atij gjethi të thatë, unë shkrova poezinë me titullin “Heshti”, që aq shumë e kam për zemër.

Dhe në fund, jam shumë i kënaqur që libri im është libri i parë i botuar nga shtëpia e re dhe  serioze botuese “Rea”, e drejtuar nga Rozafa Bashota.

Fjala e autorit Binak Kelmendi:

Promovimi i një libri mbetet gjatë në mendjen e autorit të tij dhe besoj se mbetet gjatë edhe në mendjen e botuesit. Aq më shumë dhe sidomos mbetet gjatë në mendjen e një botueseje të re e plot dhunti, iniciativë dhe ambicie siç është në këtë rast Rozafa Bashota. E përgëzoj.

Tani disa fjalë për përmbledhjen time me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve”.

Libri përmban 17 tregime nga gjithsej 55 tregimet e mia, botuar deri më tash  në tri përmbledhje tregimesh. Vetëm tregimi “Lexuesit e kartëmortaleve”, nga i cili bart emrin përmbledhja, është tregim i ri që më duket se, siç themi ne nganjëherë, ka fjetur vetëm një vit për ta parë dritën dhe për t’u bashkuar me tregimet tjera që janë botuar edhe para më shumë se tridhjetë vjetësh.

Gjatë hartimit të librit, dilema e parë dhe e gjithëhershme e autorit mbetet ajo: A thua në këtë përmbledhje a po përfshihen tregimet më të mirë. Tregimet më të mirë, sipas autorit të tyre, sepse vlerësimi “më i mirë” është çështje e shijes individuale dhe atë nuk ka të drejtë ta nënvlerësojë askush.

Dhe siç thashë, dilema më ka mbetur edhe tash, pas botimit të këtij libri. Për shkak se gjithnjë mendoj se ka mundur të jetë edhe ky ose ai tregim. Kjo dilemë mund të hiqet, ndoshta, me botimin e një përmbledhjeje tjetër të re me tregime të zgjedhura.

Sido që të jetë, tregimet e përfshira në këtë libër janë tregime që përfshijnë periudhat tona kombëtare, madje që nga paraepoka siç është tregimi “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, por edhe periudhat më të hershme e më të vonshme që i kaluam e disa edhe i përjetuam. Siç ishin për shembull demonstratat e vitit 1968 e 1981 që janë tematikë e tregimeve “Te pllaka përkujtimore” dhe “Shqetësim nate i qytetit”.

Natyrisht, letrarisht është përfshirë edhe lufta e vitit 1998-1999 dhe tregimet “101 vjet bashkë” dhe “Fëmija pa emër” tregojnë për kalvarin tonë të fundit. Ndërsa për luftën po tregoj se ajo trajtohet në tri romanet e mia “Vezët e Vdekjes”, “Guri i Vashës” dhe “Portat e Pejës”.

Në këtë përmbledhje ka edhe tregime që kujtojnë jetën familjare që nuk ka si të jetë ndryshe nag jeta e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. “Autopsia e natës” dhe “Babai do t’ia falte arën Ushtrisë Amerikane” e ndonjë tjetër.

Ka edhe tregime të tjera që pasqyrojnë, sipas meje, inatet tona që na janë ngulitur sidomos pas çlirimit dhe këtu shembull do ta merrja tregimin “Arritja e Skenderbeut në Prishtinë”, shkruar më 28 nëntor 2001.

Për botimin e librit meritë të madhe ka Profesor Sali Bashota i cila ka bërë redaktimin dhe pasthënien e tij. E falënderoj.

 

Fjala e përkthyesit Naim Kryeziu:

Kur flasim për Elias Kanetin atëherë kemi të bëjmë dhe flasim për një shkrimtar që ka rrënjët në Ballkan, për një shkrimtar vërtet të madh evropian, për një shkrimtar të përmasave botërore, pra, flasim për një nobelist.

Pse i themi këto fjalë të mëdha për këtë shkrimtar të madh, i themi sepse Kaneti ka kulturë ballkanike, evropiane dhe botërore. Kaneti lindi jo larg Kosovës, ai lindi në Bullgari, ku edhe kaloi një pjesë të fëmijërisë së vet, në vitin 1911 prindërit e tij shkuan, bashkë me tre fëmijët e tyre në Angli. Pas vdekjes së parakohëshme të babait të Kanetit, familja shpërngulet përkohësisht në Lozanë të Zvicrës, kurse më 1913, përfundimisht shpërngulën në Vjenë e më pas në Cyrih të Zvicrës.

Me krijimtarinë e vet letrare dhe eseistike e sidomos me romenet  “Vërbimi“, “Loja e syve“, “Gjuha e shpëtuar“, “Pishtari në veshin tim“, “Masa dhe pushteti“ si edhe  “Vetëdija e fjalëve“, Kaneti u bë botërisht i famshëm dhe mbeti në mendjet e lexuesit gjithandej. Në veprën e tij madhështore “Masa dhe pushteti“, në të cilën Kaneti punoi gati 34 vjet, ai analizon dhe përshkruan shprangosjen e njerëzve në masa dhe dominimin e sundimtarëve sociopatikë mbi masat e njerëzve.

Elias Kaneti, të cilin kritika letrare e ka quajtur si një „klasik të gjallë“ dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit  të njëzetë, më 1981 iu dha  Çmimi Nobel për letërsinë.

Në përmbledhjen e eseve me titull „Misioni i shkrimtarit“, Kaneti analizon dhe trajton veprat e shkrimtarëve dhe të filozofëve të kultarave të ndryshme, ku pastaj në eset veta  lexuesit i ofron ajkën e krijimtarisë letrare dhe filozofike të shkrimtarëve dhe filozofëve siç janë:  Tolstoji, Byhneri, Kafka, Brehti, Krauzi, Hitleri sipas Shperit,  Konfuci, Ditari i dr. Haçijës nga Hiroshima, etj.

Si veçanti më specifike e krijimtarisë letrare dhe filozofike e Elias Kanetit mund të veçojmë: “Pushteti dhe mbijetesa“, “Roli i masës në shoqëri e në pushtet“, “Lufta për pushtet“, “Antropologjia e tij që nxorri vullnetin për pushtet e që e shtyen njeriun të vrasë nga dëshira për të mbijetuar“, “Rëndësinë dhe përgjegjësinë e fjalës së shkrimtarit“, “Urrejtja e Kanetit ndaj vdekjes“, ku në lidhje më këtë çështje po japim edhe një citat të tij: “Edhe e bukura s’është e bukur, derisa ekziston  vdekja“.

Në eset e tij kushtuar misionit të shkrimtarit, Kaneti thekson qartë se nuk mund të quhet shkrimtar askush që nuk beson seriozisht në të drejtën e vet për të qenë i tillë. Shkrimtari që nuk arrin ta shohë gjendjen e botës ku jetojmë, zor se mund të thotë ndonjë gjë rreth saj. Dëshira dhe mesazhi e Kanetit është që shkrimtarët me misionin e tyre, me veprat e tyre të formësojnë realitetin shoqëror dhe të luftojnë të keqën dhe të ndihmojnë të mirën për njerëzimin.

Prandaj detyra e përkthyesit do duhej të ishte të përkthej autorë dhe vepra me vlera artistike, ndërsa detyra e shtëpive botuese do duhej të ishte botimi dhe publikimi i këtyre veprave që kanë vlera dhe janë në interes të  përgjithshëm për njerëzimin.

Për botimin e këtyre veprave felënderojmë përzemërsisht Shtëpinë botuese “REA“  dhe i urojmë shumë suksese!

Fjala e autorit Sali Bashota:

Cilat fjalë t’i zgjedh sonte?

Duke filluar nga vepra e tretë, “Plagomë” (1994) në secilën vepër time me poezi është i pranishëm nga një cikël me proza poetike, derisa e botova veprën e parë me proza poetike “Ëndrra në parajsë” (2006), pastaj veprat e tjera me radhë, siç janë: “Sytë e vetmisë” (2010), “Rruzullimi i zjarrit” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020) dhe “Mëkati i buzëqeshjes” (2023).

Në një intervistë timen në revistën “Akademia”, që e bëri Berat Armagedoni, ndër të tjera, kam thënë se përmes prozës poetike synoj për të shenjuar një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës.

A mund të ketë proza poetike mesazh, kuptim dhe domethënie tjetër?

Ky është një lloj preokupim krijues që më ka nxitur ta kuptoj përbrenda vetes një teori të komunikimit, por edhe një teori të receptimit për të, duke provuar “një zgjatje të kujtesës”, siç do të thoshte Borhesi, edhe për ligjërimin, ritmin dhe figurat. Nga cilët faktorë do të përcaktohej gjuha metaforike (poezia) që të bëhej gjuhë e rrëfimit (proza). Në fakt, parimet krijuese besoj se shkojnë në të njëjtin drejtim, me një ndryshim të vogël që proza poetike mund ta funksionalizojë fabulën. Me prozën poetike jam përpjekur të rrëfej ngjarje dhe të përshkruaj situata.

Pse vepra “Mëkati i buzëqeshjes”, erdhi në vjeshtën e vitit 2023, pikërisht përmes Botimeve “Rea”. Pagëzimi i shtëpisë botuese me emrin e vajzës sime të gjashtë Rea, e mban të mbërthyer në shpirtit tim, pothuajse, të njëjtën ndjenjë sipërore, sikurse kur e pagëzova Shtëpinë Botuese “Rozafa”, në vitin 1997. Asnjë mëdyshje. Vajza ime Rozafa, tash si botuese do të udhëtojë nëpër kohën e rigjetur, për ta kuptuar edhe më fuqishëm se çka është bota e librit. Tash është një tjetër kohë e imagjinatës që shfaqet në realitetin jetësor përmes veprës dhe që bëhet e pavdekshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina dhe Obiliqi mbeten dy komunat me ajrin më të…