Promovohet guida turistike për Kosovën në holandisht

17 maj 2019 | 16:36

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka organizuar një ceremoni ku është promovuar libri i parë turistik për Kosovën në gjuhën holandeze, i autores Gerda Mulder. Libri përmban informata të shumta rreth potencialit turistik të Kosovës.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të shumtë të kompanive turistike holandeze dhe ekspertë të turizmit.

I ftuar i veçantë ishte edhe Dan Everts, ish shef i misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1999-2000.

Në hapje të ceremonisë, ambasadori i Republikës së Kosovës, Lirim Greiçevci foli për mundësitë e jashtëzakonshme që ofron vendi ynë në fushën e turizmit, si dhe për përparimin që ka bërë Kosova gjatë 20 viteve të pasluftës.

Ai po ashtu falënderoi autoren e librit, Gerda Mulder për kontributin e saj për promovimin e Kosovës. Ambasadori Greiçevci bëri thirrje qytetarëve holandezë që të vizitojnë Kosovën.

Në prezantimin e saj, autorja e librit Mulder foli për vende të ndryshme turistike, kulturën dhe mundësitë e shumta që ofron Kosova.

Ajo u bëri thirrje bashkëvendësve të saj holandezë që ta vizitojnë Kosovën, duke u garantuar se do të mahnitën me atë që do të gjejnë.

Një fjalë rasti e mori edhe Dan Everts, i cili vlerësoi lartë zhvillimin e Kosovës. Everts është shprehur i mahnitur me përvojën e tij sa ka qenë në Kosovë.

Sipas Everts, Kosova dhe në veçanti malet e Sharrit janë vendi që duhet vizituar para se të vdes njeriu.

Ai ka thënë se është e jashtëzakonshme për të që njëzet vjet pas luftës, të jetë pjesë e një organizimi në Ambasadën e Kosovës në Hagë për të promovuar turizmin e Kosovës.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje foli edhe Virtyt Gacaferri, organizator i vizitave turistike në Kosovë.

Ai paraqiti disa mundësi dhe përparësi që ofron vendi ynë në fushën e turizmit.

“Përkundër mangësive në menaxhimin e mbeturinave, në Kosovë mund të gjeni natyrën më të paprekur në Evropë. Në bjeshkët tona nuk ka bujqësi të industrializuar, bari nuk prehet dhe bimët kanë jetë të plotë”, ka shpjeguar Gacaferri në mes të tjerash.

Në këtë ceremoni Ambasada në Hagë ka ofruar për pjesëmarrësit verëra nga prodhues të Kosovës Theranda Wine, Kosova Wine, Stone Castle dhe Bodrumi i Vjetër.

Në Kosovë numri i turistëve holandez është shumë i vogël përderisa ky libër mund të ndihmojë rritjen e tyre.

Në vitin 2018 sipas Zyrës së Statistikave të Kosovës, vendin e kanë vizituar 3 100 vizitorë nga Holanda, për ndryshim prej 17 mijë nga Gjermania.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i skuadrës së Trepçës ’89, Abedin Zeka është shumë…