Promovohet libri i Imer Lladrovcit “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese“ në Universitetin “Marin Barleti“ në Tiranë

29 prill 2025 | 00:15

Politika është një art i vështirë, por  i pamundshëm pa moralitet.

Të premtën që shkoi në Universitetin “Marin Barleti“ në Tiranë u promovua një libër i botuar në Prishtinë, gjë që ndodh tepër rrallë në kryeqendrën politike dhe kulturore shqiptare. Tirana dhe Prishtina si dy qendra të rëndësishme të politikës dhe kulturës shqiptare do të duhej të ishin në një kontakt më të ngushtë seç janë, por, ja, që ato nuk kanë ndonjë komunikim të madh kulturor mes vete, madje edhe komunkimi politik mungon ose nuk është ai që duhej të ishte, sado që dikur na kanë pas shurdhuar me parullat për unitetin kombëtar pikërisht ato forca politike që nuk bëjnë asgjë për gjallërimin e bashkëpunimit mes  tyre tani që i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë gjë. Si rezultat të kësaj klime të mospërfilljes reciproke e kemi këtë izolim faktik. Tirana dhe Prishtina qëndrojnë larg njëra-tjetrës si dy kështjella mesjetare të zhytura në vetmi. Asnjë shqiptar nuk e do këtë gjendje, por e vërteta e hidhur është kjo. Këmbimet politike dhe kulturore nuk janë një gjë e thjeshtë, ato varën nga shumë faktorë, por faktori kryesor në këtë mes është vullneti politik. Megjithatë, tek e tuk ndër vite ndodh edhe ndonjë aktivitet si ky për të cilin shkruajmë këtu, aktivitet që sjellë frymë të re bashkëpunimi dhe na rikujton diçka të madhe se nuk jemi të huaj te ky dhe. Në marrëdhëniet tona vëllazërore nuk do të mund të ndërhynte askush, nëse ne nuk e lejojmë apo madje e ftojmë për t‘na treguar sesi duhet ta duam njëri-tjetrin.Ish diplomati kosovar Imer Lladrovci e promovoi librin e tij “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese“ në mjediset e universitetit “Marin Barleti“. Libri është botim i shtëpisë botuese “Artini“ të Prishtinës që  u doli në treg në muajt e fundit të vitit të kaluar. Ne flasim shumë shpesh për kufijtë e hapur dhe qarkullimin e mallërave dhe ideve, por në praktikë bëjmë diçka tjetër. Libri nuk mund të thuhet se pengohet nga kufijtë  ekzistues. Nëse jo në tokë si dikur, kufijtë ekzistojnë  ende në mendjet tona.

Aktivitetin promovues ku morën pjesë  ish ministri i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, dr. Paskal Milo, ambasadorët Roland Bimo e Dashnor Dervishi, pastaj prof dr. Erion Kristo e prof.  dr. Blerina Manushi,nga universitetiti “Marin Barleti“. Prof dr. Arben Fetoshi që bashkë me ish kryeministrin dr. Bajram Kosumi janë recensent e librit, redaktori i librit Arben Veselaj, poashtu nga Prishtina, mandej  profesori i Universitetit  publik të Durrësit “Aleksandër Moisiu“, asistent dr. Enver Bytyçi, aktivitetin e hapi zonja prof. dr. Blerina Manushi, e cila solli edhe përshëndetjet e rektores së këtij universiteti që mungoi për shkaqe objektive. Manushi  tha se “ndihet e nderuar të prezantojë një autor që ka një karrierë të pasur dhe të respektuar në shërbim të shtetit dhe kombit tonë. “Zonja Manushi tha në vazhdim se” z. Lladrovci nuk është vetëm një diplomat me përvojė shumëvjeçare në përfaqësimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, por ai gjithashtu është edhe një dëshmitar i drejtpërdrejtë i të gjitha proceseve  të rëndësishme që kanë ndërtuar dhe përforcuar subjektivitetin tonë shtetëror. Përmes librit të tij publicistik ‘Linjat politike, diplomatike dhe shtetndërtuese“ autori nuk na sjellë vetëm fakte  dhe përjetime, por edhe ndjenja dhe përvoja profesionale të rralla dhe të çmuara që nuk mund të mësohen nga librat akademikë. Ky libër nuk është thjesht një botim, por ai është një rrėfim i sinqert, një dokument i kohës dhe një kontribut i çmuar për arkivën e mendimit diplomatik dhe politik të Kosovës.“ Zonja Manushi saktësoi në vazhdim se libri  është një përmbledhje e paraqitjeve të ndryshme publike të autorit, i cili përmes tyre trajton probleme të ndryshme politike të shoqërisë së sotme kosovare. Zonja Manushi në fjalėn e saj paraqitëse e citoi recenzentin e librit, prof. dr. Arben Fetoshin, i cili ështė profesor në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Komunikimit  dhe Gazetarisë: “Ky  është një libër që nxit diskutime  kritike për çështje shqetësuese të shoqërisë  dhe të shtetit.“

Pas zonjës Manushi për librin në mënyrë të hollësishme folën recenzenti i tij prof. dr. Arben Fetoshi dhe redaktori z. Arben Veselaj. Prof. dr. Arben Fetoshi tha ndër të tjera se ndjehet shumë i kënaqur që ndodhet në Tiranë në një mjedis akademik me të cilin ka mundësi t‘i ndajë  disa vlerësime për librin e fundit të ish diplomatit Imer Lladrovci. “Me librin  që promovojmë sonte ‚Linja politike, diplomatike dhe shtetfomruese’, Imer Lladrovci sjellë një kronikë të veçantë mbi proceset politike  në Kosovë si protagonist, si diplomat me përvojë dhe si mërgimtar aktiv në diasporën shqiptare. Duke eksploruar ngjarjet dhe zhvillimet më të rëndësishme në një koleksion të pasur me artikuj, fjalime, intervista e deklarata publike, autori ravijëzon linjat kryesore të triumfit dhe të sfidave në proceset e shtetndërtimit të Kosovës. Secili kapitull i librit ështė me detaje bazuar në planin  kronologjik e tematik që lexuesit i jep një informacion të qartë mbi kontekstin historik e politik të procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Në intervalin ndërmjet fillimit me vështrimin për demonstratat e vitit 1981  si ngjarje politike drejt pavarësisë, të cilat profesori Ukshin Hoti në veprën ‘Filozofia politike e çështjes shqiptare‘ i shpjegon si nyja që ndryshoi historinë dhe përfundimit me intervistat që trajtojnë  rolin dhe sfidat e diasporës shqiptare në Europë, lexuesi do të përballet me ngjarje, procese dhe personalitete që vënë në pah kundërthënie dhe konvergjenca  ideologjike mes grupimeve shqiptare gjatë përpjekjeve pėr liri dhe pavarësi. Pra një strukturë që shndërrohet në një udhërrëfyes për ta kuptuar më mirë evoluimin e pikëpamjeve dhe qëndrimeve, duke reflektuar fuqizimin organizativ dhe qartësinë e programit të Lëvizjes Kombëtare.“ Në vazhdim prof. dr. Arben Fetoshi foli për laryshinë e teksteve dhe analizave që e bëjnë librin një kontribut të vyer për ta kuptuar realitetin e ndërlikuar  politik të Kosovës.

Për librin foli shkurtimisht edhe redaktori i tij, Arben Veselaj.

Me fjalën e tyre përshëndetëse u paraqiten edhe ish ministri i jashtëm shqiptar, prof. dr. Paskal Milo, ambasadori Roland Bimo, prof. dr. Erion Kristo dhe  prof. asistent dr. Enver Bytyçi, i cili foli për kontributin politik dhe diplomatik të autorit të librit.

Me një fjalë të shkurtër u paraqit edhe vetë autori i librit, Imer Lladrovci. Ai në fjalën e tij tha se kurrë në sferën publike nuk është folur me kompetencën e nevojshme letrare, kompetencë kjo që  nuk ka munguar as në Tiranë dhe as në Prishtinë, për metaforën gjeniale të rilindasit tonë Vaso Pasha për shqiptarinë si fe kombëtare. Gjithmonë kjo figurë letrare  është interpretuar si një metaforë politike, me nëntekst ateist madje. “Feja e shqiptarit është shqiptaria“ pa dyshim i ka mobilizuar shqiptarët për të realizuar të drejtat e tyre themelore, por ajo gjithmonë ka qenë një metaforë letrare. Funksionin politik asaj ia ka dhënë vlera e saj e madhe letrare, duke qenë se ajo artikulonte një brengë të përgjithshme. Letërsia e mirëfiltë artikulon probleme që e cfilitin njeriun në përditshmërinë e tij. Vaso pashë Shkodrani ishte shkrimtar në rradhë të parë dhe s‘ishte aspak ateist, por një besimtar i emancipuar në një kohë kur fanatizmi fetar ishte aq i përhapur edhe në elitat politike të vendeve të përparuara. Vaso pashë Shkodrani  kërkonte nga shqiptarët ta nderonin përkatësinë e tyre kombëtare me repektin dhe  përkushtimin që kishin ata për fetë e tyre. Ai iu thoshte bashkëvendësve të tij se “shqiptarë jeni [në rradhë të parë] more të mjerë“. Shqiptaria s‘ishte një fe e re që i shtohej atyre ekzistuese, që i ndanim shqiptarët, por duhej të ishte një përkushtim i ri, sepse, sipas tij, asnjë besim fetar nuk ka të drejtë ta mohojë përkatësinë etnike të besimtarit. Këtë gjë që i çonte njerëzit pranë njëri-tjetrit e predikonte rilindasi ynë me ndihmën e mjeteve që i jipte atij letërsia, diçka që i duhet edhe kohës sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpenzimet ushtarake globale arritën një nivel të ri në vitin…