Promovohet libri për masakrën e Dubravës

20 maj 2019 | 17:38

Në kuadër të 20-vjetorit të masakrës së Dubravës, të hënën është promovuar libri i kujtimeve “Qarku i (pa) mbyllur burgjesh”, i autorit Enver Dugolli, i mbijetuar i masakrës së Dubravës.

Libri përmban kujtime nga kohë të vështira burgjesh në atë kohë në Dubravë.

Ish i burgosuri politik, Hydajet Hyseni, ka thënë se Enveri është dëshmitar i gjallë e tipik i njërit dhe tjetrit në kontekst, por edhe i tërmecës midis tyre, si dhe gjithçka që rrëfehet në kohën dramatike të burgut.

Ky libër i kujtimeve, sipas tij, është një monument i veçantë kushtuar qindra të rinjve të rënë në burgun e Dubravës.

Hyseni foli edhe për vuajtjet e veprimtarit Ukshin Hoti dhe të tjerëve. “Nuk dihet a do të ngritët monumenti zyrtarisht i premtuar për Dubravën, por libri i Enver Dugolli, është tashmë një monument i llojit të vet dhe një monument i veçantë kushtuar qindra jetëve rinore, e dëshmorë të vrarë. Libri i Enverit, është edhe aktakuzë për terrorin shtetëror shovinist, por është edhe zë proteste që e akuzon fuqishëm dhe me fakte cinizmin e qendrave të vendimmarrjes politike vendore dhe të mekanizmave të drejtësisë ndërkombëtare që vazhdojnë të heshtin mbi krimin e gjenocidit në burgun e Dubravës”, ka thënë Hyseni.

Redaktori i librit “Qarku i (pa) mbyllur burgjesh”, Elvis Hoxha, ka theksuar se në këtë libër sheh një përpjekje që autori e thotë dëshminë, që ka munguar deri tash, ngase fjala dëshmi është shumë e fortë dhe shumë e ftohtë. “Ne kemi pasur kaq shumë vuajtje sa nuk kemi pasur kohë të dëshmojmë. ’99-ta për mua ishte datë e madhe se ne më në fund do të dëshmonim institucionalisht, por ja që para sa vitesh ne nuk dëshmuam, por ne themeluam Gjykatën Speciale. Unë prisja që ne akademikisht të fillonim të rrëfenim. Prandaj, unë e quaj këtë libër, libër të parë dëshmi”, është shprehur Hoxha.

Ndërkaq, për autorin e librit Enver Dugolli, botimi i këtij libri do të kontribuojë  në zbardhjen e së vërtetës së Dubravës dhe vënien në vend të drejtësisë.

Dugolli ka potencuar gjatë promovimit të librit të tij, se për masakrën e Dubravës duhet shkruar edhe më, pasi siç ka thënë ai, ka mbetur ende shumë për t’u thënë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve…