Pronarët e dyqaneve: Po presim klientë, kalimi në online nuk dha efekt pozitiv

28 prill 2020 | 00:58

Dita e parë e hapjes i ka gjetur bosh dyqanet e tregtisë me pakicë, veçanërisht ato të veshjeve ku nuk kishin asnjë klient. Tregtarët thonë se do të ulin 50% çmimet për mallrat e mbetura stok, ndërsa nuk kanë marrë asnjë hap për ta përshtatur biznesin online gjatë pandemisë.

Sot kanë vijuar aktivitetin blloku i dytë i aktiviteteve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Janë rreth 27 mijë të punësuar që i janë rikthyer vendit të punës sot, ndërkohë bizneset që janë hapur janë kryesisht ato të shitjeve me pakicë. Nga kontaktet që kemi pasur me tregtarët ata shprehen se problem mbetet mungesa e klientëve. 

Gjatë një vëzhgimi të kryer nga Report TV nëpër bizneset e pakicës, vihet re lëvizje minimale e klientëve nëpër dyqane, pavarësisht se qarkullimi në rrugë ishte i lartë.

Mbyllja e aktiviteteve ekonomike në vend si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ka vënë në vështirësi financiare shumë biznese. Shumë nga tregtarët shprehen se humbjet janë të mëdha dhe se tashmë përveçse nuk ka klientë duhet të ulin edhe çmimet për shkak të stokut. 

“Edhe ne jemi prekur si çdo biznes por që shpresojmë do ja dalim dhe të dalim të fituar. Rëndësi ka jeta ajo është primarja pastaj ana ekonomike është e dyta. Pastaj biznesi sot është hapur dhe siç e shikoni s’ka hyrë asnjë njeri në dyqan.

Nuk arriti të mbyllej sezoni dhe kemi shumë çizme të mbetura por ky ishte fat për të gjithë, do ta mbyll do e lë për vitin tjetër” thotë një drejtuese biznesi me pakicë.

Sipas vetë pronarëve të bizneseve duhet ata duhet të përshtaten me situatën dhe të reduktojnë çmimet deri në 50%, që të heqin stokun. Por nga ana tjetër mbyllja e kufijve po ndikon negativisht edhe tek porositë që ata bëjnë jashtë, përcjell shqipatarja.com.

“Keni bërë porosi për mall për sezonin e verës? Kemi bërë por dhe atje ku është bërë ajo do të vonojë sepse dhe atje janë në këtë gjendje që jemi edhe ne.  Në cilin vend e keni bërë porosinë? Në Stamboll dhe Italia por edhe ata janë në këtë gjendje”, thotë një tregtare. 

“Periudha e pranverës ku i gjithë malli i blerë ishte stok, i atij sezoni dhe ndërkohë që tani në maj duhet të kemi komplet porosi të reja që përfshijnë gamën  e verës. Patjetër gjithë ai mall është stok dhe ndërkohë është edhe mungesa e mallit të verës. Përveç gjenerimit të të ardhurave sepse ai mall që është stok është i munguar, por edhe furnitorët jashtë vendit janë të mbyllur. Uljet do të jenë të mëdha nga 30-50%”, thotë një pronare tjetër.

Situata bëhet më e vështirë kur biznesi sapo është hapur dhe mbyllja me vendim qeverie e dëmton tepër. 

“Biznesi ynë është i ri, sapo ishte hapur edhe krahasim me një biznes që është i konsoliduar natyrisht që humbja për ne ishte shumë e madhe, ishte e dyfishtë”, shprehet një prej pronareve të biznesit.

Por sa e kanë shfrytëzuar tregtarët teknologjinë? Të pyeturit nga Report TV thonë se kalimi i biznesit online nuk dha rezultate pozitive. 

Gjatë kohës që ishit të mbyllur, a e kaluat biznesin tuaj online për të mos pasur humbje 100%?

Tregtarja1: Fare 

Tregtarja2: Ne e kaluam online por nuk pati shitje. Nuk pati interes ose duheshin çmimet në minimum fare, që nuk merrje as vlerën e parë.

Tregtarja3: E kemi përdorur pak por nuk është se ka funksionuar shumë mirë. Meqë ishte edhe kohë krize është pak e vështirë që njerëzit të blejnë gjëra mode.

Ditën e sotme kanë vijuar aktivitetin e tyre ekonomik, dyqanet me pakicë të veshjeve, dyqanet që tregtojnë mobilie, dyqanet e luleve si dhe shërbimi taksi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtor i Shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli ka dhënë një…