Pronari i “Solid Shoes”, Ahmet Kuçi paralajmëron zhvendosje të prodhimit në Kukës për shkak të problemeve me energjinë

18 gusht 2025 | 22:05

Prodhuesi i këpucëve Solid, me bazë në Suharekë, po paralajmëron se do të zhvendosë operacionet e tij në Kukës të Shqipërisë nëse nuk zgjidhen problemet e vazhdueshme me energjinë elektrike.

Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, shpreh shqetësim të thellë për shkëputjet e energjisë dhe kostot e larta shtesë, duke e cilësuar situatën si “shumë të vështirë.”

Sipas Kuçit, kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes KEDS për këtë çështje, por procesi gjyqësor mbetet i pazgjidhur. Kuçi thekson se KEK-u (Korporata Energjetike e Kosovës) ka kërkuar një garancion prej 15,000 eurosh nga kompania, pa dhënë asnjë shpjegim të vlefshëm për këtë kërkesë. Për më tepër, fatura e fundit e energjisë ishte 2,200 euro më e lartë se normalja.

Kuçi shpreh dyshime se kjo kërkesë për garancion po përdoret si pretekst për të rritur çmimet e energjisë. Kompania “Solid”, e cila operon prej rreth 20 vitesh dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj, ndodhet nën presion të madh për shkak të kontratave afatgjata me partnerë evropianë. “Ne nuk mund të ndalemi,” shprehet Kuçi, duke shtuar se puna e tyre është e lidhur me partnerë ndërkombëtarë dhe se ata nuk mund të ndërpresin prodhimin, pavarësisht kostove të papritura.

Pronari paralajmëron se nëse institucionet nuk ofrojnë një zgjidhje të shpejtë, zhvendosja e biznesit në Kukës është një opsion real. Ai thekson se shumë prej punëtorëve të tyre janë tashmë nga Kukësi, duke e bërë lëvizjen më të lehtë.

A mendoni se qeveria duhet të ndërhyjë për të zgjidhur këto probleme dhe për të ndihmuar bizneset lokale që të mos largohen nga Kosova?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një takim katërpalësh…