Pronari në burg i akuzuar për 400 kg kokainë, si e mbrojti para publikut “MC Food”-in AUV i Ministrisë së Pecit

16 maj 2025 | 18:05

Një kompani që solli në treg mish të infektuar me krimba është mbrojtur publikisht nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci. Për muaj të tërë, autoritetet nuk e zbuluan emrin e saj, duke e mbajtur të fshehur nga publiku, pavarësisht rrezikut serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Bëhet fjalë për kompaninë “MC FOOD” SH.P.K në pronësi të Izet Sheqirit i cili aktualisht ndodhet në burg, i akuzuar për përfshirje në një nga rastet më të mëdha të trafikimit të kokainës në Kosovë, ku u sekuestruan rreth 400 kilogramë drogë.

Veriu.info ka siguruar një vendim zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i datës 4 mars 2023, ku dokumentohet se 21,874 kilogram mish peshku të llojeve Hake (Golden) dhe Hake (Merlu) janë zbuluar të infektuara me krimbin Anisakis, një parazit i rrezikshëm që mund të shkaktojë infeksione serioze te konsumatorët, përfshirë edhe sëmundjen anisakiazë.

Sipas dokumentit, këto sasi janë importuar nga kompania “MC FOOD” Sh.P.K., me pronar Izet Sheqiri, shkruan Insajderi.

Mishi i infektuar ishte importuar nga Spanja në dy lote të ndara, njëri më 9 nëntor dhe tjetri më 12 dhjetor 2023.

AUV nuk e bëri të ditur publikisht emrin e kompanisë përgjegjëse në asnjë moment, madje edhe në postimin e vetëm zyrtar të bërë në Facebook më 19 shtator 2024 – kur më në fund u raportua asgjësimi i mishit të kontaminuar, plot 6 muaj pas konstatimit të rrezikut.

Biznesmeni Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD” Sh.P.K., është emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese në Kosovë. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër tij në nëntor të vitit 2022, lidhur me njërin nga rastet më të mëdha të kapjes së drogës në vend – 400 kilogramë kokainë që nga Brazili përfunduan në depon e kompanisë së tij në Lipjan.

Sasia e drogës ishte zbuluar në maj të vitit të kaluar, brenda një kamioni, që mbante mish të importuar.

Kamioni, pronë e “MC FOOD”-it, kishte si destinacion përfundimtar Kosovën, ndërsa kokaina ishte fshehur në ngarkesën e mishit. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Insajderi, kompania është në bashkëpronësi të Izet Sheqirit dhe biznesmenit nga Shqipëria, Bledar Halilaj.

Sheqiri zotëron 60% të aksioneve të firmës, ndërsa Halilaj 40%. E krijuar në nëntor 2021, “MC FOOD” operon me një licencë që mbulon importin dhe eksportin e produkteve ushqimore dhe industriale, përfshirë fruta, perime, automjete, materiale ndërtimi dhe të tjera. Kompania figuron si biznes aktiv si në Kosovë, ashtu edhe në regjistrat e Shqipërisë.

Një vit pas konfiskimit të kokainës, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Sheqirit dhe gjashtë personave; Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, për një sërë veprash penale, përfshirë “Organizim të grupit kriminal”, “Trafikim me narkotikë”, “Pengim të procedurave zyrtare” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Por dosja e Sheqirit nuk mbyllet me këtë rast.

Në vitin 2018, ndaj tij ishte ngritur edhe një aktakuzë tjetër për përfshirje në një rast të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim pronësor. Bashkë me avokatin serb Dobrica Llaziç, ata akuzohen se kanë përdorur një dokument të falsifikuar të një gjykate serbe, pa kompetencë në Kosovë, për të kryer një transaksion të dyshimtë mbi një pronë në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, ata pretenduan se po vepronin në bazë të një autorizimi të pronares së ligjshme, shtetases Ramila Saviq – për të cilën dokumentet sugjerojnë se e kishte shitur tashmë atë pronë më parë. Prona, ndodhur në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, përfundoi në emër të Sheqirit për një shumë vetëm 9,900 euro, duke ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë e transaksionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të 17-ën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të…