Pronarja e lokalit përballet me akuza të reja pas tragjedisë që tronditi Zvicrën

07 qershor 2026 | 09:32

Hetimet për zjarrin tragjik që përfshiu lokalin “Le Constellation” në qendrën turistike të skijimit në Crans-Montana kanë marrë një kthesë të re. Bashkëpronarja e lokalit, Jessica Moretti, është përballur me një akuzë shtesë për falsifikim dokumentesh, krahas akuzave ekzistuese për vrasje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia, shkruan The Local, transmeton albinfo.

Jessica dhe bashkëshorti i saj, Jacques Moretti, janë nën hetim që nga tragjedia e natës së Vitit të Ri, kur një zjarr shkatërrues në lokalin e tyre shkaktoi vdekjen e 41 personave dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve. Shumica e viktimave ishin të rinj që po festonin ndërrimin e viteve.

Sipas prokurorëve, akuza e re lidhet me një faturë të dyshuar si e falsifikuar, e cila mund të ketë rëndësi në hetimet për kushtet e sigurisë dhe menaxhimin e lokalit. Avokatët e Jessica Moretti kanë mohuar çdo shkelje, duke insistuar se klientja e tyre është e pafajshme.

Çifti Moretti u paraqit sërish para prokurorëve në Sion këtë javë, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe sqarime për rrethanat që çuan në një nga tragjeditë më të rënda në historinë moderne të Zvicrës.

Hetimet po shqyrtojnë jo vetëm përgjegjësinë e pronarëve, por edhe rolin e autoriteteve lokale, pasi është zbuluar se lokali nuk ishte inspektuar për sigurinë kundër zjarrit për disa vite para katastrofës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë pak pas mesnate në…