
Propaganda serbe kundër UÇK-së, me qëllim heroizimi të humbjes
Shkruan: Hisen Berisha
(Në vend të urimit në Ditën e Lirisë së Kosovës)
Në vitet e fundit të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, ndërsa lufta në Kosovë arrinte kulmin, makineria propagandistike e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ishte vendosur në funksion të plotë. Ajo kishte dy objektiva kryesore: së pari, të konsolidonte opinionin publik serb përmes demonizimit të shqiptarëve të Kosovës dhe UÇK-së si “terroristë islamikë”, dhe së dyti, të shtrembëronte realitetin e luftës për publikun ndërkombëtar, për të penguar ndërhyrjen dhe legjitimitetin e aksioneve të NATO-s.
Ka shumë shembuj konkretë të propagandës serbe, në raport me luftën me UÇK, që janë thelbësorë për të ilustruar dimensionin sistematik, të organizuar dhe afatgjatë të kësaj makinerie propaganduese. Ky segment, pra, makineria e propagandës serbe si instrumentet dhe produktet konkrete përqendrohet në mjetet konkrete të propagandës serbe që kanë pasur në shënjestër UÇK-në dhe veçanërisht Betejën e Koshares.
Beteja e Koshares në sy të propagandës serbe
Në sytë e propagandës serbe, Beteja e Koshares, e cila nisi më 9 prill 1999 dhe zgjati deri në përfundim të luftës me Serbin, shënoi një ndër momentet më të lavdishme të rezistencës së armatosur të UÇK-së.
Aty me forcën e armës, u hoq kufiri në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke i dhënë dimensionin strategjik fitores së UÇK me organizimin e mëtejshëm të rezistencës.
Kjo betejë, nga perspektiva e propagandës serbe, përfaqësonte një humbje të madhe për Serbin, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në aspektin psikologjik. Prandaj, menjëherë pas fillimit të luftimeve në Koshare, propaganda shtetërore serbe u mobilizua për të shpërndarë dezinformata, duke tentuar të:
– Minimizojë rëndësinë e betejës, duke e paraqitur si një përleshje të vogël me “grupe të vogla të infiltruar nga Shqipëria”.
– Etiketojë luftëtarët e UÇK-së si mercenarë të huaj, “talibanë”, apo “banditë të drogës”, me qëllim të errësimit të karakterit çlirimtar të UÇK-së.
– Publikojë raporte të rreme për numrin e të vrarëve, duke ekzagjeruar humbjet shqiptare dhe mohuar humbjet e ushtrisë serbe. Kjo makineri e propagandës gjatë luftës fshehi humbjet duke i zhdukur kufomat e të rënëve në fushëbeteja.
– Shpërndajë narratives për “krime të UÇK-së”, për të krijuar një barazi morale të rrejshme mes agresorit dhe viktimës. Edhe sot, trupat e të rënëve dhe viktimave të luftës që u zhdukën në Minierën e Maçkaticës dhe varreza masive në Serbi, si persona të zhdukur i faturohen UÇK – Kosovës.
Ndërsa në versioni heroizues, duke rënë në kundërshtim me versionin viktimizues, në narracionin e filmit “Pakao Koshara – Ferri Koshare” për njësitë sulmuese në frontin e Koshares deklarojnë se: në valën e parë të sulmit kanë qenë 3 – 4 mijë terrorist, ndërsa deri në fund kanë arritur deri në 7 mijë terroriste, të mbështetur nga FA të Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, ShBA, etj.”
Po ashtu, për disa muaj rresht, pas Qershorit 1999, … na i kërkuan edhe 600 pjesëtarë të Forcave serbe, si gjoja të zënë robër lufte, deri … në tre muajt e fundit të atij viti, kur me insistimin e HQ/KFOR – të shoqëruar me Urdhërin e KOM/UÇK Gjen. Agim Çeku, ua mundësuam dhe i ndihmuam ti gjëjnë, identifikojnë e marin kufomat e të vrarëve në Frontin e Koshares.
Po ashtu, sipas rrëfimit të Gjeneralit serb që udhëhoqi luftimet në “Qafë Morinë” dhe brenda territorit të Shqipërisë në rrethin e Tropojes, në operacionin “Obruč / Rethimi”, ku deklaron se “za nekolikp časova ratovanja ubijeni su 251 domibranaca, i niko ih ne pominje kao da nisu ratovali za otadzbinu, samo one iz sluzbenog vojnog roka” / “për disa orë luftime, janë vrarë 251 vullnetarë serb ….”; 108 rekrut të shërbimit të detyrueshëm ushtarak i pranojnë të vrarë në përballjen e parë të valës së sulmit; sipas dëshmisë së një Oficeri të Forcave serbe, por i përkatësis shqiptare, 1200 trupa pa jetë janë transportuar nga Kosharja.
Pra, demantohen vetëvetiu në pretendimin e tyre doktrinor politik, për heroizimin e humbjes së turpshme përballë UÇK.
Ndër instrumentet e propagandës serbe, në këtë fushatë dezinformuese, që i përdori regjimi serb ishin: RTS-në (Radio Televizioni i Serbisë), gazetat si “Politika” e “Vecernje Novosti”, dhe rrjetet diplomatike, si dhe një numër portalesh të lidhura me shërbimet sekrete.
Gjithashtu, përmes diplomacisë agresive dhe lobimit në Perëndim, Serbia përpiqej ta paraqiste luftën në Kosovë si një përballje me “terrorizmin islamik ndërkombëtar”, duke përfituar nga klima e pas-11 Shtatorit, në mesin e aleatëve ndërkombëtarë, edhe pse kjo ndodhi më vonë, propagandën e kishin përgatitur për atë lloj terreni.
Në terren, realiteti ishte krejt tjetër nga mohimi që provonte makineria serbe e propagandës.
Derisa UÇK-ja në Koshare përfaqësonte një formacion të organizuar ushtarak, të përbërë kryesisht nga shqiptarë vendas, shumë prej të cilëve kishin kaluar përgatitje të rregullt ushtarake në Shqipëri apo vende tjera. Disiplina, morali i lartë dhe përkushtimi ndaj çështjes së lirisë e bënin atë betejë jo vetëm ushtarakisht të suksesshme, por edhe simbolikisht lirimtare.
Pikërisht për këtë arsye, Beteja e Koshares u bë e papërballueshme për propagandën serbe. Ajo ekspozoi dobësinë e ushtrisë jugosllave në mbrojtjen e një kufiri që i kishte shërbyer më shumë si instrument izolimi për shqiptarët sesa si kufi real shtetëror.
Trashëgimia e propagandës: nga e kaluara në të tashmen
Edhe pas përfundimit të luftës, propaganda serbe nuk ndaloi. Përmes instituteve të kontrolluara nga shteti, përfshirë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, janë bërë përpjekje sistematike për të rishkruar historinë e luftës, për të kriminalizuar UÇK-në në opinionin ndërkombëtar, dhe për të ndikuar procese të drejtësisë ndërkombëtare, si në rastin e Gjykatës Speciale.
Beteja e Koshares, në thelb, është jo vetëm një moment i lavdisë ushtarake të UÇK-së, por edhe një pikë kritike ku u përplasën dy botë: bota e lirisë dhe vullnetit për çlirim të shqiptarëve të Kosovës dhe bota e shtypjes, manipulimit dhe propagandës serbe.
Duke folur sot për propagandën serbe gjatë kësaj periudhe, është e domosdoshme të kujtojmë se luftërat moderne nuk fitohen vetëm me armë – por edhe me të vërtetën. Dhe në rastin e Kosovës, e vërteta ka dalë në shesh, pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur ose deformuar.
Makineria e propagandës serbe – instrumentet dhe produktet konkrete
Pas humbjes së kontrollit real mbi Kosovën, regjimi serb nuk ndaloi së luftuari veçse ai thjesht ndryshoi fushëbetejën. Propaganda u bë mjeti i preferuar për të zhbërë fitoret ushtarake dhe morale të shqiptarëve. Kjo propagandë nuk ishte spontane; ishte e organizuar, e financuar nga shteti, dhe shumëdimensionale.
Produktet e propagandës janë:
Filmat propagandistikë dhe dokumentarët e luftës:
– “Pakao Košara” (Ferri i Koshares) – Një film dokumentar i prodhuar nga RTS dhe strukturat ushtarake serbe, që tenton ta paraqesë betejën si një përballje heroike të ushtarëve serbë kundër një armiku të “fuqishëm, të huaj dhe të egër”. Narrativa është e qartë: glorifikimi i ushtrisë jugosllave dhe demonizimi i UÇK-së.
– “Drugi kosovski boj” apo “Vijetnam u Košarama” (Beteja e dytë e Kosovës – Vietnami në Koshare) – Një seri emisionesh me tone emocionale, i mbushur me intervista të ish-ushtarakëve, luftëtarëve, paramilitarëve dhe strukturave kriminale serbe, që flasin për luftime të pamundura dhe për një armik “të paemërtueshëm”, duke e vendosur veten në rolin e viktimës dhe heroizuar humbjen.
Këto filma nuk janë thjesht rrëfime; janë konstrukte ideologjike që synojnë të shërbejnë si mjet edukimi për brezat e rinj dhe për mobilizim shoqëror në linjën nacionaliste.
Emisione televizive dhe programet speciale
Qindra orë transmetimi janë dedikuar kësaj teme, veçanërisht nga:
– RTS, TV Pink, Happy TV, dhe media tjera pro-qeveritare.
– Emisione me ish-oficerë, luftëtarë vullnetarë, analistë ushtarakë, dhe përfaqësues të kishës ortodokse – që e vendosin UÇK-në në kontekstin e një “kërcënimi të përhershëm” ndaj kombit serb.
– Dokumentarë të prodhuar për përvjetorë, ku UÇK-ja paraqitet si një organizatë kriminale dhe Beteja e Koshares si një “luftë për mbrojtje të Evropës”.
Librat dhe tekstet shkollore
Në shkollat serbe, veçanërisht në Serbi dhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, janë përdorur:
– Tekste të historisë ku UÇK-ja përshkruhet si një organizatë e mbështetur nga terroristë ndërkombëtarë dhe NATO.
– Libra të ilustruar për fëmijë, me rrëfime për “trimat serbë në Koshare”, ku shqiptarët shpesh përshkruhen me terma si “pushtues”, “të egër”, apo “të huaj”.
– Manuale ushtarake dhe kujtime të komandantëve, të botuara me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ku gënjeshtra historike shndërrohen në narrativë zyrtare.
Përdorimi i kishës dhe simbolikës fetare
Kisha Ortodokse Serbe është pjesë e kësaj makinerie propagandistike. Në shumë raste:
– Lutjet publike për “heronjtë e Koshares” janë shndërruar në mesazhe politike kundër pavarësisë së Kosovës.
– Monumente dhe lapidarë janë ngritur në Serbi për ushtarët e vrarë në Koshare, me përshkrime që e barazojnë këtë betejë me betejën e parë të Kosovës më 1389 – duke krijuar një mitologji të re serbe, ku Kosharja shihet si “beteja moderne për mbrojtjen e kombit”.
Platforma digjitale dhe rrjetet sociale
Në dekadën e fundit, propaganda është transferuar edhe në formate moderne:
– Video në YouTube me tituj si “Istina o UČK” (E vërteta për UÇK-në), të mbushura me manipulime, montazhe selektive dhe intervista të orkestruara.
– Rrjete si Telegram, ku qarkullojnë narrativat për “krime të UÇK-së” pa burime të verifikuara.
– Botime pseudo-akademike në internet që tentojnë të krijojnë “versionin serb të historisë së luftës”, për ta sfiduar versionin e pranuar ndërkombëtarisht.
Qëllimi përfundimtar: Zhbërja e narrativës së luftës çlirimtare
Makineria propagandistike serbe vazhdon të prodhojë mite dhe deformime rreth luftës në Kosovë. Filmat, librat, rrjetet sociale, kisha dhe shkollat – janë bërë platforma për të zhbërë narrativen e drejtë të çlirimit. Por siç u fitua lufta në terren, po ashtu duhet të fitohet edhe lufta për të vërtetën.”
E gjitha kjo propagandë ka një synim të qartë: të rrëzojë legjitimitetin moral dhe historik të luftës së UÇK-së, duke e vendosur atë në një kategori me organizata kriminale, për të nxitur revizionizëm dhe për të vonuar apo bllokuar proceset e normalizimit.
Përballë kësaj makinerie të sofistikuar, është thelbësore që e vërteta historike dhe dëshmia e gjallë e popullit të Kosovës të mos heshtin. Sepse ashtu siç u fitua lufta në terren, duhet të fitohet edhe lufta për kujtesën kolektive dhe historinë e drejtë.