Propozimi i PDK-së, Kurti: Zgjedhjen e presidentit nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend

01 mars 2026 | 14:11

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke përmendur edhe takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të opozitës, përfshirë kryetarin e Bedri Hamza, për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.

Ai është shprehur se pas propozimit të PDK-së, zgjedhjen për president nuk e garanton partia por vota në Kuvend.

“Pas takimit të dytë që pata me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës,Bedri Hamza, mu kumtua nga një qëndrim i saktë i tyre, se ata tashmë konsiderojnë se presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja. Mbi këtë përqendrim, unë mendoj se kandidati mund të vijë nga çdo subjekt, qoftë nga PDK-ja, LDK-ja apo Lëvizja Vetëvendosje. Por në fund, zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend”.

“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatët e tyre partiakë dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Këtë e mundëson edhe kushtetuta, e cila garanton një proces demokratik ku së paku dy kandidatë i nënshtrohen një gare të drejtë, me votim të siguruar, duke shmangur nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fund, do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve në cilindo nga raundet, ashtu siç e kërkon kushtetuta në procedurën e saj”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe takimin e së hënës me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nesër (e hënë) do të takoj edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotin Lumir Abdixhiku, ku do të diskutojmë edhe me të rreth këtij procesi. Mirëpo, ne kemi qëndrimin se nëse subjektet pajtohen që të kemi një garë, pra garë e hapur, proces ku secili subjekt ka kandidatin ose kandidaten për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e saj për president”.

“Si kryetar, jam i angazhuar maksimalisht që të përfundojë ky proces në mënyrë të suksesshme dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja. Kemi pasur katër palë zgjedhje gjatë vitit 2025. Filluam me zgjedhjet rregullta parlamentare, e përmbyllëm me zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në mes të tyre ishin dy raundet e zgjedhjeve lokale. Viti 2026, në të cilin kemi hyrë tani, duhet të na presë me punë, me stabilitet institucional dhe me rezultate konkrete për qytetarët, jo me fushata të reja zgjedhore. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet gatishmëri dhe vullnet i domosdoshëm bashkëpunimi dhe konstruktiviteti nga opozita”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri sërish ka përmendur që të ishte kandidati nga familja Jashari, por ka shtuar se janë të edhe për një garë demokratike.

“Ky proces mund të realizohet qoftë përmes zgjedhjes së një figure unifikuese, siç do të ishte kandidati Jashari, apo përmes një gare të drejtë dhe demokratike ndërmjet kandidatëve të propozuar nga subjektet politike sipas procedurave të zgjedhjes. Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të proceduar dhe jemi të gatshëm për të dyja këto opsione”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United po përgatiten për një sulm në tregun e…