Propozimi i pesë sheikëve të Hebronit që ka tronditur Lindjen e Mesme

07 korrik 2025 | 22:37

Pesë sheikët e Hebronit propozojnë “Emiratin e Bregut Perëndimor” dhe shprehen të gatshëm ta njohin Izraelin

Një deklaratë e pazakontë nga pesë sheikë të fuqishëm tribalë në qytetin e Hebronit, në jug të Bregut Perëndimor, ka shkaktuar reagime të forta në territoret palestineze të pushtuara.

Në një letër drejtuar autoriteteve izraelite, ata hedhin poshtë idenë e një shteti palestinez dhe propozojnë krijimin e një “Emirati lokal” që do të bashkëjetonte me Izraelin dhe do të bëhej pjesë e marrëveshjeve të Abrahamit.

Letra, e zbuluar nga Wall Street Journal dhe më pas e raportuar nga portali izraelit Ynet, u është drejtuar ministrit izraelit të Ekonomisë, Nir Barkat. Nënshkruesit mes tyre Wadi al-Jaabari pretendojnë se përfaqësojnë rreth 600 mijë banorë të Bregut Perëndimor dhe shprehen se janë të gatshëm të njohin Izraelin, në këmbim të njohjes së tyre si përfaqësues legjitimë të komuniteteve lokale.

Në deklaratë, ata propozojnë krijimin e një zone industriale të përbashkët izraelito-palestineze, shpallin “tolerancë zero” ndaj terrorizmit dhe e konsiderojnë të pamundur krijimin e një shteti palestinez pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023. “Izraeli nuk do ta pranojë kurrë një shtet palestinez, as pas një mijë vitesh,” citohet Jaabari.

Sheikët kritikojnë ashpër Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OÇP) dhe Hamasin, duke i akuzuar për korrupsion dhe përfaqësim të dështuar. “Vetëm ne mund të vendosim për fatin tonë,” shkruajnë ata, duke shtuar se OÇP-ja dhe Hamasi nuk i përfaqësojnë më qytetarët palestinezë.

Reagimet nga komuniteti palestinez kanë qenë të menjëhershme. Familja e madhe Jaabari, e përmendur në letër, është distancuar zyrtarisht nga kjo nismë, duke deklaruar: “Këto qëndrime nuk na përfaqësojnë. Ne jemi pjesë e pandashme e shoqërisë palestineze.” Disa kritikë i kanë cilësuar nismëtarët si “tradhtarë” dhe i akuzojnë për bashkëpunim me autoritetet izraelite për interesa personale.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, janë në dijeni të nismës, por deri më tani kanë mbajtur një qëndrim të rezervuar, për shkak të ndjeshmërisë politike që çështja paraqet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Menaxhimin Emergjent ka njoftuar se gjendja me zjarret…