
Propozohet ndryshimi i emrit të Agjencisë Kundër Korrupsion
Komisioni për Legjislacion ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit 2019-2023 dhe Planin e veprimit.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, gjatë raportimit të tij në këtë komision ka pranuar se duhet të ndërrohet emri i kësaj agjencie dhe të bëhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
“Agjencia nuk është e imja, pajtohem me iu ndryshuar emri si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duhet ta ketë parandalimin, duhet me ekzistuar dhe ende mu fuqizuar në aspektin administrativ”, tha Havolli.
Sa i përket veprimtarisë që ka AKK-ja, Havolli ka thënë se nga kjo agjenci janë ngritur 90 aktakuza, prej tyre janë shqiptuar 56 aktgjykime dënuese në prokurori.
Shefi i AKK-së ka treguar se 98 për qind e zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë e tyre, ku nga 4 737 zyrtarë kanë deklaruar 4 660.