Propozohet shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, dy anëtarë lëshojnë mbledhjen

01 dhjetor 2025 | 12:48

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, anëtari Visar Krasniqi propozoi të shkarkohet nga pozita kryesuesi Ardian Hajdaraj.

“Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai kërkoi nga Agron Qalaj që ta lirojë takimin e Këshillit, me arsyetimin se është person i paautorizuar të qëndrojë në këtë takim. Tha se qëndrimi i tij në këtë sallë, iu pamundëson anëtarëve tjerë të vazhdojnë tutje. Anëtari Veton Shabani, insistoi se para se të shkohet me rend të ditës, Agron Qalaj ta lirojë sallën.

“Të gjithë janë të njoftuar se ai vendim ka qenë joligjor. Me gjithë respektin për Qalajn, ne kërkojmë nga ai që ta lirojë sallën që të vazhdojë mbledhja normalisht”, ka thënë ai. Sipas tij, tashmë Besim Kelmendi ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ankesë ka efekt suspendim të çdo vendimi.

“Kërkojmë që të merrni masa, mos të krijohen vendime tjera të kundërligjshme”, është shprehur ai dhe më pas ka lëshuar sallën. Ndërkaq, Dardan Vuniqi tha se e konsideron të nevojshme tërheqjen nga kjo mbledhje. “E konsideroj të nevojshme që të tërhiqem nga kjo mbledhje, por jo para se të qes propozimin tim. Unë mbështes çdo hap që qartëson ligjin. Unë kthehem kur të ketë situatë të qartë ligjore për mos t’u kthyer as në mbledhjen e radhës pa u sqaruar aspekti ligjor”, tha Vuniqi. Ai kërkoi pauzë 15 minuta, që të reflektojë edhe Qalaj, që mos të qëndrojë në këtë mbledhje. Në anën tjetër, edhe anëtari Arian Gashi tha se nuk mund të qëndrojë në mbledhje ku është i pranishëm edhe Qalaj. “Tashmë kemi një ankesë në Supreme, andaj derisa të vendosë Gjykata nuk mund të vazhdojmë, kuorum kemi, Qalaj tha lirojë sallën”, tha Gashi. Më pas, anëtarët Visar Krasniqi dhe Veton Shabani lëshuan mbledhjen. Kurse, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se këtë nuk e konsideron ndryshe përveçse presion që Qalaj të largohet. Atij iu përgjigj Gashi, duke thënë se nuk po i bëjnë presion, por po kërkojnë ta lirojë sallën sepse bën kuorum të kundërligjshëm. /REL/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dega e LDK-së në Vushtrri ka realizuar një peticion që…