Prorektori i Universitetit të Kepit të Gjelbër njihet me arritjet e Universitetit të Prishtinës

05 shtator 2025 | 11:02

Gjatë vizitës në mjediset e Universitetit të Prishtinës, prorektori për teknologji, inovacion dhe të dhëna i Universitetit të Kepit të Gjelbër, Celestino Barros, ka marrë informata për sukseset dhe sfidat e universitetit numër një të Kosovës.

Prorektori Barros është pritur nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Në takimin njohës janë shikuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy universiteteve, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të UP-së për ndërkombëtarizim, rrjetëzim dhe shtrirje në të gjitha kontinentet.

Është folur sidomos për bashkëpunim të mundshëm në fushat e mjekësisë, shkencave kompjuterike, si dhe mësimit të gjuhës portugeze në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit Filologjik të UP-së, pasi në Kepin e Gjelbër portugalishtja është gjuhë zyrtare.

Prorektori Barros po qëndron në Kosovë si pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare “Kosova PAR 2025”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ai ishte edhe panelist në njërin nga grupet e diskutimeve të konferencës.

Kepi i Gjelbër është një shtet ishullor në Afrikën Perëndimore, ndërsa universiteti publik i këtij shteti ofron studime në fushat e edukimit, ekonomisë, shkencës e teknologjisë, arteve dhe shkencave sociale e humane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Dardanët” kanë dalë me një njoftim të rëndësishëm para ndeshjes…