
Protesta e 14 shtatorit në Hagë, mërgimtari Kushtrim Hadërgjonaj: T’i tregojmë botës se Kosova nuk harron bijtë e saj
Mërgimtari Kushtrim Hadërgjonaj, i cili jeton në Gjermani, ka njoftuar se janë përfundim të përgatitjeve për protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet të dielën në Hagë.
Hadërgjonaj, ka bërë me dije se nga Ludwigsburgu i Gjermanisë do të nisën 6 autobusë me mërgimtarë të cilët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës në mbështetje të liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai ka thënë se numri i mërgimtarëve nga Ludwigsburgu për pjesëmarrje në protestë mund të rritet.
“Të nderuar bashkatdhetarë, veprimtarë e mërgimtarë, ju që nuk kursyet mund, djersë e pasuri për t’i dalë zot atdheut në ditët më të vështira. Ju që me zemër e me shpirt ndihmuat luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju thërrasim të dielën më 14 shtator 2025, të jemi të gjithë së bashku në protestën madhështore në Hagë. Sot, burrat e lirisë – ndër ta edhe presidenti i Kosovës, drejtori i drejtorisë politike të UÇK-së Hashim Thaçi, së bashku me shokët e tij, padrejtësisht po mbahen në burg në Hagë. Ata që na sollën lirinë, që sakrifikuan gjithçka për Kosovën shtet, sot kanë nevojë për zërin tonë, për mbështetjen tonë, për praninë tonë”.
“Le të ngrihemi si një trup i vetëm, le të bëhemi zëri i drejtësisë, le të tregojmë para botës se Kosova nuk harron bijtë e saj. Bashkohuni më 14 shtator në Hagë, në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të UÇK-së, në mbrojtje të presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij. LIRI PËR ÇLIRIMTARËT! LIRIA KA EMËR!”, ka shkruar Hadërgjonaj në “Facebook”.