
Protesta e 17 tetorit në Tiranë: “Rruga e Kombit” pa pagesë për 24 orë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se qeveria shqiptare ka vendosur që kalimi në “Rrugën e Kombit” të jetë pa pagesë për 24 orë — nga ora 09:00 e datës 17 tetor deri në orën 09:00 të datës 18 tetor.
Ky vendim është marrë në nder të protestës që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë, duke filluar nga ora 17:00, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thuhet, padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Vendimi i Qeverisë shqiptare erdhi pas kërkesës zyrtare që deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, së bashku me organizatat e dala nga lufta, i kanë bërë ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj. Në kërkesë është theksuar nevoja që qeveria shqiptare të tregojë mirëkuptim për qytetarët e Kosovës që do të marrin pjesë në protestën gjithëpopullore në Tiranë.