Protesta kundër ekspozitës skandaloze: Këto janë disa nga pankartat që do të shpalosen nesër para Kuvendit
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar protestë për nesër, e hënë, më 30 mars, në ora 13:00, para Kuvendit të Kosovës, në reagim ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” me autor Shkëlzen Gashin, e cila paraqiti në mënyrë të pasaktë të dhënat historike për Masakrat në Kosovë.
Këto janë disa nga pankartat që do të shpalosen nesër, të cilat i ka siguruar Gazeta Nacionale:
Në konferencën për media, përfaqësuesit e këtyre organizatave thanë se protesta është thirrur si kundërshtim ndaj çdo përpjekjeje për relativizimin e krimeve serbe dhe shtrembërimin e historisë së Luftës Çlirimtare. Ata theksuan se nuk do të heshtin përballë, siç thanë, fyerjes së viktimave dhe deformimit të së vërtetës historike.
“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe, nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër, e hënë, në ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit”, tha kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Përfaqësuesit e organizatave të luftës shprehën edhe mirënjohje për reagimin e shpejtë të Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama, pas largimit të ekspozitës nga sheshi. Sipas tyre, veprimi ishte i domosdoshëm, pasi përmbajtja e ekspozitës ishte fyese jo vetëm për ish-pjesëtarët e luftës, por edhe për viktimat, familjet e tyre dhe për gjithë shoqërinë.
“Ne shoqatat e dalura nga lufta, siç e keni parë dje edhe reagimin kundër kësaj ekspozite që ka ndodhë, që ka qenë në sheshin e Prishtinës. Dua ta falenderoj pa hezitim, Përparim Ramën që ka marrë aksion të shpejtë për t’i larguar, që për ne kanë qenë një fyerje, jo vetëm për neve, por edhe si shoqëri dhe si komb”, tha Gucati.
Mbështetje për protestën ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përmes një reagimi publik u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të nesërm para Kuvendit të Kosovës. Ai e paraqiti këtë protestë si qëndrim në mbrojtje të së vërtetës së Luftës Çlirimtare dhe të sakrificës për liri.
“Mbështes protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës së Luftës Çlirimtare. Ftoj bashkëluftëtarët, familjarët e të rënëve dhe gjithë qytetarët që nesër, më 30 mars, në ora 13:00, para Kuvendit të Kosovës, të dalin në mbrojtje të sakrificës sonë për liri”, shkroi Haradinaj.









