Protesta më 14 shtator në Hagë, Gucati: Janë bërë të gjitha përgatitjet, organizimi po na shkon siç e kemi menduar

03 shtator 2025 | 14:05

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet që  dhjetëra qytetarë nga Kosova të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 14 shtator, në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale.

Sipas Gucatit, më 12 shtator do të nisën 5 deri në 6 autobusë me qytetarë, të organizuar nga OVLUÇK-ja dhe nga vetë qytetarët.

“Autobusët nisën më 12 shtator. Katër autobusë nisën nga Organizata e Veteranëve, ku i falënderojmë disa donatorë të cilët nuk kanë dashur të bëhen publik. Ne do t’i çojmë mbi 400 vetë, të cilët do të shkojnë dhe do të udhëtojnë për Hagë. Kemi informacione që një shumicë bukur e madhe kanë bërë rezervime me avionë nga Shkupi dhe Tirana që do të udhëtojnë drejt Amsterdamit. Është edhe një autobus tjetër nga Podujeva, që është organizuar në mënyrë vetjake nga vetë qytetarët dhe zotriu Nexhmi Muqiqi, i cili edhe ai ka paguar një autobus”, ka thënë ai në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”.

Gucati ka falënderuar donatorët që kanë ndihmuar organizimin dhe mërgatën që po i bashkohet nismës, duke ftuar edhe shqiptarët që jetojnë në Evropë dhe ShBA t’i bashkohen protestës paqësore më 14 shtator.

“Është një numër i madh i qytetarëve nga Kosova që do të udhëtojnë për në Hagë. Organizimi është duke na shkuar shumë mirë, ashtu siç e kemi menduar. E falënderoj mërgatën shumë, të cilët i janë bashkangjitur thirrjes sonë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Evropë dhe në Amerikë që më 14 shtator nga ora 14:00 me na u bashkëngjit në protestë paqësore”, ka thënë Gucati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me tingull të fuqishëm, ndriçim të personalizueshëm dhe jetëgjatësi të…