Protesta në Gjermani për masat kundër Kovidit

24 maj 2020 | 10:28

Në Gjermani edhe këtë fundjavë u organizuan protesta kundër masave kufizuese prej pandemisë që disa qytetarë i konsiderojnë jokushtetuese.

Qytetet gjermane janë organizuar në tubime kundër masave kufizuese që qeveria po aplikon me arsyen e pandemisë Covid-19.

Edhe pse më të pakët në numër krahasuar me fundjavën e kaluar, qindra qytetarë iu bashkuan manifestimeve në Berlin, Shtutgart dhe Munih.

Në veri, në qytetin e Hamburgut, policia përdori ujë me presion për t’i shpërndarë turmat, ndërsa në jug, në landin e Bavarisë, shirat e dendur dhe stuhitë bënë që të anulohen rreth 60 protesta të ndryshme.

Rreth 200 persona u tubuan edhe në qendrën financiare në Frankfurt.

“Jam këtu sepse besoj se çdo person duhet të jetë i liri të mbajë vetë përgjegjësi ndaj këtij virusi.

Realisht ndihem e tallur kur politikanët ulen në parlament, në kafene apo privatisht në bare pa respektuar distancimin fizik dhe pa maska. Ndërsa ne qytetarët ndenjëm vullnetarisht për dy muaj e gjysmë në shtëpi, pa kontaktuar fëmijët dhe nipërit.

Masat shkelin të drejtat tona kushtetuese, liritë tona për shëndetin e 0,37 për qind të popullsisë që mund të vdesë për shkak të Kovidit”, tha një protestuese.

Falë testimeve në terren, Gjermania ka mundur ta kalojë më lehtë pandeminë e koronavirusit dhe këtë muaj vendosi t’i lehtësojë masat kufizuese duke hapur këndet e lojërave, muzetë, dyqanet dhe restorantet.

Në nivel kombëtar, virusi ka infektuar 180 mijë persona dhe ka vrarë mbi 8 200 të tjerë.

Ndërkohë, autoritetet raportuan se në qytetin e Frankfurtit 40 persona kanë rezultuar pozitivë me Kovid pas pjesëmarrjes në një meshë në kryeqytet.

Institucionet e kultit janë hapur që nga 1 maji duke ndjekur rregullat e distancimit dhe të higjienës.

Kjo periudhë pandemie, megjithatë, ka forcuar bashkëjetesën fetare dhe në rrethanat e koronavirusit dhe të muajit të shenjtë për islamin, edhe kishat po hapin dyert për besimtarët myslimanë pasi jo të gjitha xhamitë mund t’u sigurojnë ambientet për faljet e veçanta. /oranews.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua ka uruar besimtarëve myslimanë…