
Protesta në Hagë, OVLUÇK: Gjithçka gati. Mbi pesë autobusë do të nisen nga Kosova
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka bërë të ditur se më 14 shtator, në ora 14:00, do të organizojë një protestë në qytetin e Hagës, aty ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se organizimi është në fazën përfundimtare dhe interesimi për pjesëmarrje është i madh, si nga Kosova ashtu edhe nga diaspora.
“Ideja ka qenë ajo ditë, për shkak se dëshmitari amerikan do të jetë menjëherë në ditën e nesërme. Kjo është një lloj mbështetjeje bashkëluftëtarëve tanë, që ne jemi me ju. I gëzohemi faktit që dëshmitari është amerikan. Mesazhi jonë kryesor është për Gjykatën Speciale dhe Bashkësinë Ndërkombëtare – jo në emrin tim – pra, populli jonë i thotë kësaj gjykate që nuk mundeni me marrë vendime në emrin tonë, sepse ka ndryshuar gjithçka përmbajtja e kësaj gjykate dhe misioni i saj. Për shkak se ka devijuar misionin e saj, nuk mundet me vendos në emër të popullit. Gjithmonë po shkon të rritet numri i organizatorëve që do të merren me protestën. Do të jetë madhështore, sepse interesimi është shumë i madh”, tha ai për EO.