
Protesta në Hagë – Zëri i Kosovës që kërkon drejtësi
Shkruan: Nazmi Jusufi
Protesta e sotme në Hagë ishte një moment historik që shpalosi para botës një të vërtetë të hidhur: drejtësia ndërkombëtare ka dështuar të jetë e barabartë dhe e paanshme për Kosovën. Qindra qytetarë, të ardhur nga diaspora e nga Kosova, ngritën zërin përpara Gjykatës Speciale, duke kërkuar atë që është themel i çdo shoqërie demokratike DREJTËSI të vërtetë.
Kosova nuk është thjesht një histori lufte. Është historia e një populli të tërë që u përball me një makineri shtetërore të agresorit serb, e cila kreu spastrim etnik, masakra, dhunime e dëbime masive. Këto krime janë të dokumentuara në raportet e Kombeve të Bashkuara, të NATO-s, të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Megjithatë, edhe pas më shumë se dy dekadash, drejtësia për viktimat shqiptare mbetet e mohuar.
Ironia dhe padrejtësia qëndron te fakti se sot, në Hagë, gjykohen ata që u ngritën kundër kësaj makinerie shfarosëse. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbrojtën popullin e vet nga shfarosja dhe i hapën rrugën lirisë, po mbahen në qeli dhe trajtohen si kriminelë. Ky është një absurd historik që cenon vetë themelet e drejtësisë ndërkombëtare.
Protesta në Hagë është një apel i fuqishëm për ndërkombëtarët. Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare duhet të kuptojnë se pa drejtësi të barabartë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan. Drejtësia selektive është plagë që nuk shërohet, por thellohet. Nëse Serbia rehabilitohet dhe viktimat shqiptare harrohen, atëherë po dërgohet një mesazh i rrezikshëm: se agresioni shpërblehet, ndërsa sakrifica për liri ndëshkohet.
Shqiptarët nuk po kërkojnë privilegje. Ata po kërkojnë vetëm atë që u takon me të drejtë – barazi para ligjit dhe njohje të sakrificës për liri. Drejtësia ndërkombëtare duhet të ndalë standardin e dyfishtë dhe të kthejë vëmendjen te krimet e Serbisë, të cilat nuk mund të fshihen nga historia.
Nga Hagë, u dha një mesazh i qartë: pa Drejtësi nuk ka Paqe. Dhe kjo thirrje nuk është vetëm e shqiptarëve, por e të gjithë atyre që besojnë në vlerat e demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare.