Protesta në Serbi, nesër qytetarët në dhjetëra qytete do të dalin në rrugë

30 maj 2025 | 08:21

Decentralizimi i protestave në Serbi po hyn në një fazë të re. Më 1 qershor janë paralajmëruar protesta në dhjetëra qytete në mbarë vendin, ndërsa numri i vendeve ku do të ketë tubime po rritet çdo ditë. Organizatorët dërgojnë një mesazh të qartë: e gjithë Serbia do të dalë në rrugë.

Pozharevci ishte qyteti i parë ku u konfirmua publikisht mbajtja e protestës, por studentët që janë në bllokadë tashmë disa muaj kanë bërë të ditur se 1 qershori është vetëm fillimi i një aksioni më të gjerë. Siç theksojnë ata në rrjetet sociale, ky datë shënon nisjen e një decentralizimi serioz të rezistencës qytetare.

Deri më tani, protestat janë paralajmëruar në qytetet: Aleksinac, Beograd, Bela Palanka, Bor, Cacak, Jagodina, Kikinda, Kosovska Mitrovice, Kragujevac, Kraljevo, Kruševac, Leskovac, Loznica, Novi Pazar, Novi Sad, Pancevw, Pirot, Priboj, Prokuplje, Ruma, Senta, Sombor, Sremska Mitrovice, Suboticw, Surdulica, Shabac, Uzhice, Valjevo, Vlasotince, Vranje, Vrshac, Zrenjanin dhe Nish.

Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin kanalet zyrtare të informimit të studentëve në bllokadë, ku do të publikohen vendndodhjet e sakta dhe ora e fillimit të protestave në çdo qytet.

“Decentralizimi është në kulmin e tij. Kjo nuk është një betejë vetëm e Beogradit. E gjithë Serbia ka një zë dhe më 1 qershor do ta ngremë së bashku,” thuhet në deklaratën e studentëve në bllokadë.

Studentët janë të pakënaqur me një sërë çështjesh politike dhe shoqërore, përfshirë procesin zgjedhor, gjendjen në arsim dhe atmosferën e përgjithshme politike në vend. Mesazhet e tyre të fundit tregojnë për një rritje të pakënaqësisë dhe vendosmërinë për ta zgjeruar protestën përtej kryeqytetit.

Me afrimin e 1 qershorit, pritet që edhe më shumë qytete t’i bashkohen kësaj vale protestash, ndërsa njoftimet për to po përditësohen nga ora në orë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj, ka…