
Protesta të reja në disa qytete të Serbisë
Lëvizja “Studentët në bllokadë” ka publikuar një kalendar të ri protestash që do të zhvillohen në disa qytete të Serbisë në ditët në vijim. Protestat do të mbahen nga data 11 deri më 17 gusht në Beograd, Novi Sad dhe Nish.
“Shihemi së shpejti”, është mesazhi i shkurtër por i qartë që studentët kanë shpërndarë përmes rrjetit social X (ish-Twitter).
Beogradi, sipas njoftimit do të jetë qendra e organizimeve. “Në kryeqytet do të mbahen disa protesta dhe aktivitete: 11 gusht – Zbori i lagjes Zvezdara organizon protestën me moton “Askush nuk është vetëm”, me fillim në ora 20:00. 12 gusht – Dy ngjarje janë paralajmëruar: Zbori Konjarnik organizon një tubim në Ustanička 189. Zbori Zvezdara po ashtu do të mbajë një takim me Frontin Shoqëror pas kafenesë “Marshal”, duke filluar nga ora 20:00”.
16 gusht – Zbori Cerak organizon një bazar humanitar nga ora 17:00 deri në 21:00.
Protesta dhe aktivitete edhe jashtë Beogradit. “Në Novi Sad, më 12 gusht, do të mbahet një bazar studentor në hapësirat e Kampusit, me fillim në ora 18:00. Në Nish, më 15 gusht, do të organizohet një tribunë publike me titullin “Së bashku jemi më të fortë” në parkun e Shën Savës”, thuhet ne njoftim.
Këto protesta vijnë në vazhdën e mobilizimit të grupeve qytetare dhe studentore në Serbi, të cilat po kërkojnë ndryshime politike dhe shoqërore përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në rrugë.