
Protestë në Tiranë, kërkohet lirimi i ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj
Shoqata “Krahu i Shqiponjës”, ka thirrur këtë të diel një protestë në mbështetje të luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj.
Protesta do të zhvillohet në orën 16:00 në sheshin “Skënderbej” të Tiranës.
“Togeri Dritan Goxhaj, pilot në Shkollën e Aviacionit Vlorë ju bashkua UÇK-së në mars të vitit 1999. Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-s dhe iu besua detyra e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Dritan Goxhaj, luftëtari i UÇK-së, ushtaraku shqiptar, intelektuali dhe gazetar i fjalës së lirë, më datë 31 Korrik u arrestua nga Policia e Shtetit shqiptar, referuar letër-porosisë së Gjykatës Speciale, Kosovë. Ky është rasti i pare i arrestimit të një shtetasi shqiptar me urdhër të Dhomave të Specializuara që veprojnë në Hagë me ligjet e Kosovës. Dritan Goxhaj, luftëtari i UÇK akuzohet për: ‘Frikësim gjatë procedurës penale’ dhe ‘Pengimi i Personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’”, është thënë në thirrjen e shpërndarë për protestën, raporton “Euronews.al”.
Dritan Goxhaj është arrestuar ditë më parë në Tiranë me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Ai kërkohet nga ana e autoriteteve të Prokurorisë Speciale në Kosovë për intimidim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimeve nga Gjykata Speciale.