Protestojnë punëtorët e RTK-së, kërkojnë paga dhe buxhet shtesë

06 gusht 2025 | 12:20

Është mbajtur një protestë para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK).

Punëtorët e RTK-së protestuan për shkak të mos alokimit të buxhetit gjashtë mujor për RTK-në dhe mos pagesës së pagave për 700 punonjës të mediumit të vetëm publik të Kosovës.

Gjatë protestës u theksua se qëllimi i vetëm është mbrojtja e RTK-së, dinjiteti i punëtorëve dhe sigurimi i pagave të merituara.

Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, kërkoi që menjëherë të alokohet buxheti për institucionin e vetëm publik. Ai theksoi se mbi 700 familje ndodhen në një gjendje të rëndë ekonomike. Sipas tij, protesta nuk ka karakter politik.

Bimbashi gjithashtu kërkoi rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, si dhe sigurimin e pagave.

Ndërsa Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së, tha se kjo krizë në RTK ka qenë e shmangshme. Ai kërkoi që buxheti për RTK-në të alokohet menjëherë për gjashtëmujorin e dytë të vitit. Sipas tij, RTK ka një rol të rëndësishëm në skenën mediale të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Japoni u mbajt një lutje në heshtje të mërkurën…