Protokolli Meloni-Rama, në pajtim me Kushtetutën e Shqipërisë

30 janar 2024 | 09:05

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese deklaroi sot se Protokolli për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane është në pajtim me Kushtetutën dhe lejoi ratifikimin e tij nga Kuvendi.

Gjykata u vu në lëvizje nga kërkesa e një grupi deputetësh opozitarë, që e shohin si të papajtueshëm me Kushtetutën Protokollin mbi pritjen në territorin shqiptar të migrantëve të kapur në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane.

Gjykata Kushtetuese theksoi në vendimin e sotëm se Protokolli vepron në dy zona, ku zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane, dhe sa u takon të drejtave dhe lirive të njeriut aty vepron një judiksion i dyfishtë, ku juridiksioni italian nuk përjashton atë shqiptar.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot të lejojë ratifikimin nga Kuvendi të Protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, pasi e deklaroi atë në pajtim me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese i dha sot dritën jeshile Protokollit Meloni-Rama, ratifikimin nga Kuvendi të të cilit e pezulloi afro një muaj e gjysmë më parë, sapo mori kërkesën e një grupi deputetësh opozitarë, që pretenduan se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën.

Në vendimin e sotëm, Gjykata vlerësoi se Protokolli nuk cakton kufij territorialë dhe nuk ndryshon integritetin territorial të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Gjykata theksoi se në dy zonat ku vepron Protokolli zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane, pra në to vepron një juridiksion i dyfishtë sa u takon lirive dhe të drejtave të njeriut, ku juridiksioni italian nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Në vendim thuhet se e drejta ndërkombëtare që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është e detyrueshme për t’u zbatuar si nga Shqipëria edhe nga Italia, si marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara më herët prej tyre.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Protokolli nuk vë në dyshim përgjegjësinë e shtetit shqiptar, e cila buron nga normat kushtetuese dhe nga e drejta ndërkombëtare.

Gjykata theksoi se pretendimi për cënimin e të drejtave të të huajve nga Protokolli është i pabazuar, sepse në të nuk shtohen as kufizohen liri dhe të drejta më shumë se ato që parashikon ligji shqiptar.

Grupi i deputetëve opozitarë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese edhe me pretendimin tjrtër se Protokolli u arrit pa një autorizim nga Presidenti i Republikës.

Por Gjykata theksoi se qeveria kishte plotfuqishmëritë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e këtij Protokolli, sepse Traktati i Miqësisë italo-shqiptare i vitit 1995 është një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar sipas nenit 180 të Kushtetutës dhe se ai është një bazë e mjaftueshme që Protokolli Meloni-Rama të autorizohej për negociim nga kryeministri dhe të nënshkruhej prej tij.

Me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi e ka rrugën të hapur për të çuar deri në fund ratifikimin e Protokollit Meloni-Rama, ndërsa qeverisë i duhet të mbajë parasysh këto vlerësime të Gjykatës gjatë hartimit të akteve nënligjore për ta vënë në zbatim atë.

Protokolli u nënshkrua në Romë më 6 nëntor nga kryeministrja italiane Georgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe në të parashikohet pritja e migrantëve të kapur në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane.

Sipas atij dokumenti, në Shëngjin ngrihet një pikë për të verifikuar migrantët, shumica nga Afrika veriore, ndërsa në Gjadër ngrihet një qendër, nën juridiksionin, përgjegjësinë dhe financimin e Italisë, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.

Në Kuvendin e Shqipërisë dokumenti u miratua nga ligjvënësit socialistë në mbledhje online nga komisionet parlamentare, pa praninë e deputetëve opozitarë.

Një grup prej tyre iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën se Protokolli u arrit pa transparencë dhe pa u marrë autorizimi i Presidentit të Republikës.

Ata theksuan se Protokolli shkel disa prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, parashikuar në Kushtetutë, në Konventat Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të drejtën e Traktateve, për statusin e refugjatit si dhe ligje vendase për marrëveshje ndërkombëtare, për të huajt, për azilin.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Protokollin me Italinë si një qasje strategjike ndaj një partneri strategjik për Shqipërinë, dhe sipas tij, gjithë zhurma bëhet për faktin se për herë të parë një marrëveshje e tillë nënshkruhet me një vend joanëtar i Bashkimit Europian.

Megjithë kritikat e shumë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kundërshtimet e partive opozitare në dy anët e detit Adriatik, Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë u miratua pesë ditë më parë nga Dhoma e deputetëve në parlamentin italian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Clearwater të Floridës,…