PROZA E RIDIMENSIONIMIT INTEEKTUAL DHE KRIJUES TË ADEM DEMAÇIT

26 korrik 2020 | 23:17

Adem Demaçi, Drithë e miell bashkë (1962), Prishtinë, NGB Grafoprint, 2020, f. 153.

Shkruajnë: Myrvete & Begzad Baliu

Zbulimit i tekstit dhe konteksti i botimit të parë

Prej vitesh kemi dëgjuar për zbulimin e këtij dorëshkrimi nga hulumtuesi i përkushtuar i jetës dhe veprës së Adem Demaçit, z. Selatin Novosella dhe prej vitesh kemi pritur që ai të botohet jo si një vepër e zakonshme e tregut tonë të botimeve, po si një botim tekstologjik, i shoqëruar nga të gjithë përbërësit e një botimi të veprës monumentale të tij, të panjohur deri më tash. Kemi pritur që botimi të ketë një paraqitje të karakterit historik dhe rrethanave në të cilat është shkruar ajo, me dëshmi të drejtpërdrejta e të tërthorta dhe pjesë dokumentesh që kanë të bëjnë me sekuestrimin e veprës nga sigurimi jugosllav. Pastaj, të kemi një botim paralel të tekstit në dorëshkrim (fototip i tekstit të shkruar me stilolaps) dhe tekstit të radhitur, me një fjalorth të plotë shpjegimesh në fund të veprës dhe anëshkrime të tjera, anëshkrime në margjinë të botimit dhe sqarime për lexuesin e zakonshëm, me komente të nevojshme për lexuesin akademik etj.

Duke pritur botimin e këtij vëllimi, në të vërtetë kemi menduar se si zbuluesi i saj, këtë botim do t’ia besoj një institucioni shkencor, i cili do të investonte gjithë përvojën e sotme kombëtare e ndërkombëtare të botimeve tekstologjike e filologjike, sado për fatin tonë të keq, institucioneve tona ju mungon kjo përvojë, ndërsa filologëve tanë ju mungon kjo dëshmi, dhe për më keq, ju mungon ky vullnet.

Nuk është e rastit prandaj, pse ky botim i parë i romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, “i radhitur nga dorëshkrimi dhe i korrigjuar” nga dr. Shqiptar A. Demaçi, nuk e ka asnjërën prej kërkesave tona të theksuara më lart. Dhe i ka munguar kjo sepse librin e ka përgatitur dora akademike e skalpelit, po jo edhe e filologut.

‘Horizonti’ i pritjes

Kur kemi dëgjuar për zbulimin e dorëshkrimit të romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, na janë krijuar disa përfytyrime për këtë dorëshkrim, përkatësisht vëllimin e tij, disa ide për temën etnografike a politike të tij, dhe madje disa koncepte për strukturën moderne të përbërësve letrarë të tij.

Në të vërtetë, duke menduar për këtë dorëshkrim romanor, kishim parasysh faktin se Adem Demaçi para tij kishte shkruar tregime kryesisht të shkurtra dhe dy romane, njërin të botuar, Gjarpijt e gjakut, e tjetrin të sekuestruar nga policia serbe, S’ka paqe ndër kasolla, dhe këto përmasa do të duhej të kishte edhe ky roman i papërfunduar, në të vërtetë i prerë në mes nga sigurimi serb; duke menduar për temën etnografike, në të vërtetë antropologjike, sociale apo politike, kishim parasysh titullin e tij, Drithë e miell bashkë, dhe titullin e dramës së shkruar disa vjet më vonë në burg Pushka dhe politika (1969); dhe së fundi kemi menduar gjatë, si do të duket rrëfimi romanor dhe cila do të ishte poetika e këtij teksti, pas disa tregimeve e romaneve realiste e strukturës moderne, të tyre të shkruara apo të botuara në vitet ‘50.

Dhe, na vjen mirë që, thënë me konceptin e filologëve, këtë përbërës të tretë e kishim ubifikuar saktë. Madje, që në fillim mund të themi se romani i papërfunduar i Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, përfaqëson të gjithë përbërësit e poetikës së prozës së tij të shkruar deri atëherë, tregimeve dhe romaneve, përkatësisht romanit të botuar dhe romanit të  sekuestruar të tij.  

Pse mund të thuhet kështu?

Sepse, deri më tash kritika letrare e ka theksuar gjatë faktin që me veprën e tij letrare të periudhës së parë, Adem Demaçi ka dëshmuar për njohjen e thellë shpirtërore të popullit të tij, por nuk e ka theksuar faktin se Adem Demaçi në këtë kohë ka dëshmuar për njohjen e gjerë të letërsisë botërore, filozofisë së saj, teorisë së romanit, duke përfshirë këtu edhe diskutimin ndërmjet fenomenologjisë së Hegelit dhe teorisë së romanit historik të Lukaqit (Pol de Man, 1975: 115), si dhe temave të mëdha sociale e realiste të kësaj letërsie, që në këtë rast kurorëzohen jo vetëm me strukturën, motivin e temën po edhe me diskursin dhe gjuhën posaçërisht të pasur etnografike, e cila identifikon në këtë roman personazhet, jo vetëm në kontekst të prejardhjes etnografike dhe dialektore, sikur jemi mësuar t’i lexojmë në letrat shqipe, po edhe moshat, grupet sociale dhe madje gjinore, sikur mund t’i gjejmë për herë të parë në këtë vepër të letërsisë shqipe.

Tek jemi këtu, po e bëjmë një digresion. Na ka rënë të dëgjojmë shumë herë mendimet dhe diskutimet e Adem Demaçit për letërsinë, gjatë viteve kur ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e ne anëtarë të kryesisë së saj, dhe na ka rënë të bisedojmë shumë herë e të marrim mendimet e tij për ligjëratat e profesorëve të njohur në Universitetin e Beogradit mbi letërsitë e mëdha nacionale po edhe shkrimtarë të veçantë të letërsisë së përbotshme. Po i theksojmë këtu dy vlerësime të tij: Adem Demaçi kujtonte me respekt ligjëratat për letërsinë gjermane e sidomos diskutimet për Gëten dhe Faustin e tij, dhe ishte i bindur, që atëherë, se ajo ishte letërsia më e madhe nacionale, në të cilën gërshetoheshin të gjitha dijet dhe të gjitha vlerat që ka krijuar njerëzimi, nga trashëgimia shpirtërore e letërsisë popullore deri te majat e filozofisë dhe estetikës të mendimit të përbotshëm; ndërsa shkrimtarin më të madh të të gjitha kohëve e konsideronte autorin e Vëllezërve Karamazov, Dostojevskin.

Identifikimi paravajtës i Rexhep Qosjes

Duke shkruar për tregimet dhe romanin e tij Gjarpijt e gjakut, Profesor Rexhep Qosja, vite më parë ka theksuar një përbërës shumë të rëndësishëm historiko-letrar dhe politik të kohës, tek tërhiqte vërejtjen se romani “është shkruar dhe është botuar në kohën kur në Shqipërinë shtetërore mbretëronte doktrina e realizmit socialist dhe kur në Kosovë mbretëronte konformizmi partiako-shtetëror jo vetëm në politikë, por edhe në krijimtari. Adem Demaçi edhe si intelektual edhe si krijues është mohues i realizmit socialist dhe i konformizmit partiak e pushtetor”. (Qosja, 2013: 438).

Në qoftë se në rastin e parë, këtë konstatim e thekson Profesor Qosja në kontekst të poetikës së tregimeve dhe romanit, në rastin e dytë, këtë e theksojnë, e identifikojnë dhe e konkretizojnë personazhet e njërit prej kapitujve të romanit Drithë e miell bashkë, derisa diskutojnë për letërsinë dhe stilet letrare të shkrimit të saj.

Le t’i referohemi përzgjedhjes paravajtëse të Rexhep Qosjes nga romani i Adem Demaçit Gjarpijt e gjakut, në kontekst të referencave deri më tash të panjohura të përzgjedhjes së Adem Demaçit nga romani i Azem Shkrelit Karvani i bardhë.

Profesor Rexhep Qosja: “… dëshmi e kësaj që thuhen janë edhe gjuha e stili i Adem Demës. Nuk është i madh numri i shkrimtarëve që në prozat e tyre mund të përdorin aq përpiktë, aq fuqishëm, aq figurshëm, stilistikisht aq ngjyrosshëm fjalën krijuese si Adem Dema në Gjarprinjtë e gjakut dhe jo vetëm në Gjarprinjtë e gjakut. Duhet të jesh i padenjë për fuqinë dhe bukurinë e gjuhës dhe të stilit në qoftë se nuk të bëjnë përshtypje përvetësuese fjalitë si këto, aq të shpeshta në Gjarprinjtë e gjakut.

Lexoni: 1. Dielli puthte horizontin e perëndimit dhe me predhat e veta të fundit të dritës gjuante majën e Maçekllavës. Shikoni çfarë shprehjeje!

Fjalia tjetër: 2. Hija qiti nasgjëshëm me dorë dhe ende pa zbrazur tymin e duhanit gapërroi sytë e kaltër matanë përroit të thatë.

Fjalia e tretë: 3. Do shtëllunga të bardha resh, thuajse zgërdhiheshin me diellin përcëllues.

Fjalia e katërt. 4. Mustafën e përpiu kureshtja, prandaj goja iu bë lutje. (Qosja, 2013: 438)

Adem Demaçi, përkatësisht personazhi a shkrimtari i ri, Hajriz Lulaku gjatë diskutimit për veprën e Azem Shkrelit thekson:

“Në bazë të Karavanit të Bardhë, gjuha e Azem Shkrelit âsht mjaft e lavrueme, fjalit i ka shume elastike, funkcionale dhe plot kuptim. Qe nji shembull kësisoji:

“Kur flitte Dyli, flitte lahuta, dhe ec e lueja, i ngulej guri punës”. (Demaçi, 2020: 91)

(…)

Qe edhe një fjali lakonike e Azemit: “Urtija e t’urtëve âsht kjo: Mos dil i pari se e nxen të keqen. As i fundit mos rri se të nxen ajo ty”. (Demaçi, 2020: 92)

(…)

– A po na kuptoni tash? Neser keni me i kuptue të gjitha, mos u ngutni. Shteti i jep tapit, por vet nuk ka kurr tapi…”. (Demaçi, 2020: 92)

Në të vërtetë, kulturën e gjerë të tij, filozofinë e tij, njohjet teoriko-letrare të tij, më parë se sa në veprat e mëparshme do të vihen re në romanin Drithë e miell bashkë, në të cilin personazhet e tij maturantë, do të diskutojnë duke identifikuar a komentuar filozofë, ekonomistë, teoricienë e historianë të letërsisë, shumë me ndikim në kampin komunist të kohës, si dhe duke i pranuar a kundërshtuar mendimet e tyre mbi çështje të filozofisë, sociologjisë, letërsisë e kulturës përgjithësisht.

“…mandej dikush tha: Mos më tregoni ju mua se çka mendon Dobrolubovi, Bijelinski, Çernishevski, Meringu, Timofijevi, Ipolit Teni ose dikush tjetër, por ju çka mendoni vetë…” (Demaçi, 2020: 22), – i pyet profesori nxënësit e tij.

Prirjet intelektuale e politike dhe kundërshtimi i realizmit socialist

Romani i Adem Demaçit Drithë e miell bashkë, është vepër e dialogut dhe komunikimit mbi aspekte të ndryshme të jetës, kuptimit dhe vlerave më të rëndësishme materiale e shpirtërore të saj. Subjekti përqendrohet në historinë e familjes Lulaku, të parë në tri rrafshe, por boshtin kryesor të këtyre zhvillimeve e përbënë jeta e një klase maturantësh.

Maturantë e kësaj klase me emra dhe pseudonime të ndryshme diskutojnë për Çernishevskin dhe Dobrolubovin, të cilët Marksi dhe Englesi i quanin “Lesingë socialistë, që kritikoheshin nga Bakunini dhe studentë të papjekur, me fraza bombastike”. (Marks-Engels, 1976: 388). A nuk kishte në klasën e profesorit të gjuhës Feriz Teja, disa nxënës të cilët e kritikonin ashpërsisht dramën e Hajriz Lulakut, ‘duke u fry si bretkosa’ (tamam si studentët e Bakuninit), dhe që me fraza etnografike, shumë herë, kritikonin e gllabëronin njëri-tjetrin.

Maturantët e kësaj klase, në romanin e Adem Demaçit, flasin për Çernishevskin, që Marksi e konsideronte “dijetar i madh rus”, i cili në artikujt e tij kishte studiuar çështjen nëse duhet të fillojë Rusia shkatërrimin e komunës fshatare për të kaluar në rendin kapitalist,…” (Po aty., 389-390). A nuk ishte koha kur në ish-Jugosllavi, pas vitit 1958, diskutohej për ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, ndërsa prej këtyre ndryshimeve, të cilat do të ndodhin pas vitit 1966, varej shumë fati i zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës dhe perspektiva shoqërore e popullit shqiptar.

Në klasën e tyre, maturantët diskutojnë edhe për Timofejevin, i cili në Këshillimin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, më 28 shtator 1946, ishte vlerësuar si një nga personalitetet më me ndikim jo vetëm në letërsi po edhe në publicistikë, sepse thuhej në orientimet e këtij këshillimi: “njeriu i ri i shoqërisë socialiste paraqitet para se gjithash si luftëtar, si krijues i një bote të re”. (R. Petkoviq, 1986:20-30).

Ata diskutojnë në të vërtetë për Çernishevskin, Dobrolubovin dhe Timofejevin, tre prej teoricienëve më me ndikim në literaturën e realizmit socialist në Rusi, të cilët ishin bërë personalitete të obligueshme referimi, ndërsa vepra e tyre metodë teoriko-letrare për një kohë të shkurtër në ish Jugosllavi (1945-1952), si dhe në Shqipëri, fatkeqësisht, për një kohë shumë më të gjatë (1945-1990).

Maturantë e kësaj klase flasin me mjaft kompetencë për Franc Merningun (1846-1919), një nga filozofët me dije të jashtëzakonshme poliedrike dhe stil të jashtëzakonshëm komunikimi, i cili luftoi për humanizmin si koncept në radhë të parë, edhe atëherë kur qëndroi brenda grupeve socialiste e socialdemokrate, edhe atëherë kur u bë pjesë e grupeve marksiste, gjatë periudhës më të madhe të angazhimeve të tij.

Maturantët e këtij romani diskutojnë edhe për një nga studiuesit më me ndikim në studimet historiko-letrare, francezin Ipolit Ten (1828-1893), themeluesin e historicizmit në letërsi, sikur diskutojnë edhe për ‘formën’ dhe ‘përmbajtjen’ në poezinë e Migjenit dhe të Lasgush Poradecit.

Nëse, në rastin e parë, arsimtari i gjuhës shqipe kërkon që në hartimin e tyre nxënësit të mos shkruajnë çfarë kanë thënë teoricienët e lartpërmendur, në rastin e dytë kërkesat e tij zgjerohen edhe me emrin e Aristotelit, Zhan Pol Sartrit dhe Mitrush Kutelit (34). A nuk mjafton kjo për të kuptuar se Adem Demaçi në këtë kohë, jo vetëm e njihte filozofinë, teoritë letrare dhe kritikën, po edhe i kundërshtonte ato duke i diskutuar mendimet e bardëve të tyre, duke përfshirë këtu madje edhe konceptet e Maksim Gorkit dhe sikur e thekson “të ashtuquajturën letërsi të realizmit socialist”(45). Ata diskutojnë e flasin për zhdanovizmin në Rusi dhe e kundërshtojnë atë në kontekst të zhvillimeve që lidheshin me shkrimtarin Pasternak, duke mbrojtur njëkohësisht filozofinë e ligjshmërisë së kundërthënieve, kudo dhe në cilin do prej sistemeve shoqërore, në të cilat jetohet.

Dialektika hegeliane dhe filozofia e refuzimit

Në këtë kontekst, personazhet e romanit të Adem Demaçit Drithë e miell bashkë,  diskutojnë gjerë e gjatë për ligjet e dialektikës, si koncepte shoqërore, filozofike dhe madje ndikimin e tyre në letërsi. Ata flasin për dialektiken dhe ligjësitë e saj si shkathtësi, si zbulim dhe madje si zgjidhje e kundërthënieve të tyre të brendshme; ata diskutojnë për ligjet e dialektikës si kusht i argumentimit të koncepteve të tyre për zhvillimin e mendimit shoqëror, teoriko-letrar dhe kulturor. Dialogët e tyre të kujtojnë Sokratin e lashtësisë dhe Didëron e modernitetit; Platonin e përkushtuar ndaj sintezave e koncepteve të mëdha të lidhura ngushtë me vërtetimin dhe zgjidhjen e kundërthënieve; Kantin dhe konceptet e tij mbi kritikën e arsyes dhe mendjes; dialektikanin më të shquar të mendimit botëror, Hegelin dhe koncepteve të tij për dialektikën si rrugë e kundërthënshme e zhvillimit progresiv të idesë absolute dhe e formave të tjetërsimit të saj. Në të vërtetë, me gjuhën e tyre, kryesisht etnografike ata dialogojnë, diskutojnë, komunikojnë dhe madje polemizojnë, sikur të ishin bashkuar filozofët themelues të saj: Zenoni, Herakliti, Sokrati, Platoni e kundërshtarët e tij, dhe sikur të ishin bashkuar në diskutim filozofët e kohës së re: Dëni Didro, Kanti, Fihte, Hegeli etj.

Le t’i kthehemi edhe njëherë Profesor Qosjes dhe diskutimit të tij mbi realizmin socialist, si doktrinë politike dhe letrare-artistike, në të vërtetë kundërartistike në Shqipëri dhe konformizmit partiako-shtetëror në krijimtarinë letrare në Kosovë. Kjo çështje është e pranishme edhe në këtë roman, tani jo si koncept teoriko-letar po si pasuri tematike dhe si një realitet historik e artistik, tek sa maturantët dhe mësuesi i tyre lexojnë shembuj të romanit të Azem Shkrelit Karvani i bardhë dhe diskutojnë pasurinë gjuhësore, duke vënë theksin vetëm në diskursin etno-filozofik të komunikimit, por duke e ‘djegur’ pjesën tjerë, pikërisht ashtu sikur digjet duhani, të cilin ‘njerëzit e pinë për çejfi, edhe pse ka pasoja të mëdha për shëndetin e tyre’.

Citojmë:

  • Po ti, shoqo, a vetëm margaritarët e prozës së Shkrelit na i paske mbledhë? Nuk pat n’at prozë edhe shibla, mushla e kërçabla?
  • Sita ime nuk zuni kurrfarë shiblash.
  • E paske sitë n’atë t’kollomojten, por nejse…

(…)

Po, shok profesor, tash mbasi ra zilja po ju pyes se çka mendoni për duhanin? – Pyeti ‘Pula’. (Demaçi, 2020: 93).

A nuk janë këta shembuj të mjaftueshëm, për të dëshmuar qëndrimin e Adem Demaçit përball realizimit socialist, theksuar më parë nga Profesor Qosja dhe tani të artikuluar në romanin e tij të lënë në dorëshkrim.

Struktura e veprës: nga novela te romani i papërfunduar

Romani Drithë e miell bashkë përfaqëson një frymë të re shkrimi në letërsinë shqipe të atyre viteve, madje jo vetëm në Kosovë, sado si strukturë e rrëfimit romanor duket shumë më i thjesht se sa romanet që botoheshin nga shkrimtarët shqiptarë me një përvojë të gjatë shkrimi, madje që në vitet ’30. Struktura e romanit sado lineare në pamje të parë, zhvillohet në tri rrafshe të rrëfimit – si strukturë e brendshme e poetikës së tij. Për gjykimin tonë, atë e përbëjnë tri pjesë, tri aktet e një drame familjare, tri situata të një sage, të njohura gjerësisht në letërsinë europiane, njohje të cilën autori padyshim e kishte nxënë gjatë studimeve për letërsinë botërore.

Në shikim të parë, ky roman është një Sagë familjare, që hapet me përditshmërinë në Familjen e Rrahman Lulakut. Më tej, si në sfond, jo shumë të dukshëm rishfaqet kjo Sagë, tash me dimensione të brendshme shpirtërore, në tekstin dramatik Tregtari i kafshatave të dreqit, të të birit Hajriz Lulakut, përkatësisht shfaqjen e tij në shkollë, e cila shpreh njëkohësisht dramën e madhe të familjes shqiptare. Dhe së fundi, ajo ridimensionohet, si rrafsh i tretë, në ‘prozën familjare’ të Hajriz Lulakut, që në të vërtetë përfaqëson një nga faqet e para (të filluara, po jo edhe të përfunduara të saj) në letërsinë shqipe. Megjithëse, romani nuk është e thënë të përfundojë në këtë mënyrë, ne mendojmë se kapitulli i leximit dhe i interpretimit të tekstit dramatik të Hajrizit dhe diskutimi mbi përbërësit letrarë, tematikë dhe madje estetikë të tij, përbën njëkohësisht edhe fundin e variantit të parë në përmasa të një novele, duke plotësuar kështu jo vetëm “egon” e kolegëve të tij të klasës, po edhe premtimin e arsimtarit të gjuhës shqipe, Feriz Teja, se “kjo klasë doemos do ta nxjerrë një a dy shkrimtarë”. Si strukturë e tekstit, ndërkaq, kjo vepër merr përmasat e një romani, për faktin se hapet edhe rrafshi i tretë, me leximin e prozës familjare të Hajriz Lulakut, e cila nuk përfundon së shkruari nga autori, përkatësisht mbetet në fillimet e saj, sepse me arrestimin e Adem Demaçit, i merret edhe fletorja ku po e shkruante romanin e tij.

Gjuha etnografike si bazë e ndërtimit të dialogut dhe strukturës së romanit

Gjuha, në të vërtetë pasuria gjuhësore, leksikore dhe frazeologjike, si dhe dialogu, përkatësisht diskursi i komunikimit romanor, janë disa prej përbërësve më të rëndësishëm të kësaj proze. Dhe jo vetëm kaq.

Në radhë të parë, do theksuar këtu, diskutimi i personazheve për vetë gjuhën shqipe, parë në kontekstin e drejtshkrimit të saj, stilit të ligjërimit, logjikës së përkthimit etj. Në një kohë, që prej një dekade po diskutohej në Shqipëri e në Kosovë mbi shqipen standarde, përkatësisht drejtshkrimin e saj, arsimtari i gjuhës shqipe në romanin e Adem Demaçit, shënon në tabelë temën Bisedë mbi frymën e gjuhës shqipe, dhe hap disa çështje, për të cilat bardët e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde do të diskutojnë dyzet vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), sikur është drejtshkrimi i emrit Vashington në vend të trajtës Uashington, apo Evropë në vend të Europë, për të cilin, njëri prej personazheve shprehet: “Përveç, ndikimit të serbokroatishtes, prej kah përkthehen artikujt, nuk ma merr mendja se ekziston ndonjë arsye tjetër…” (77).

Bisedat në këtë tekst letrar marrin kahje nga më të ndryshmet, mbi mundësinë e shqiptimit në origjinal të emrave të huaj; mbi traditën standardizimit të gjuhëve të popujve të mëdhenj dhe shembullin e gjermanëve; mbi stilet e përkthimit të frazeologjisë dhe pamundësisë së përkthimit fjalë për fjalë etj. Bisedat, si edhe në raste të tjera, përfundojnë jo edhe pa simbolikën e tyre. Premtimi i arsimtarit se do të lexojmë fragmente të romanit të Azem Shkrelit nga romani Karvani i bardhë, shkruar në gegërisht, përfundon me leximin e një fragmenti të prozës së Vedat Kokonës, shkruar në toskërisht.

Në radhë të dytë, dalin me interes pseudonimet e personazheve: ‘Pasqyli‘, ‘Sheqeri‘, ‘Mamamushi‘, ‘Etna‘, ‘Pula‘, ‘Katili‘, ‘Cufi‘, ‘Zhani‘, ‘Rrebeli‘, ‘Strajca‘, ‘Xhezi‘, të cilët as me pamjen e tyre, as me sjelljen e tyre, as me komunikimin e tyre, madje as me idetë a konceptet e tyre filozofike nuk ju përgjigjen pseudonimeve të tyre. Pra, pseudonimet e tyre nuk përfaqësojnë karakterin e tyre, sikur i gjejmë zakonisht në letrat shqipe të kësaj periudhe.

Në radhë të tretë, do theksuar, në mënyrë të veçantë, leksiku, frazeologjia e pasur, përkatësisht rrëfimi a diskursi shumëplanësh i komunikimit, i ndërtuar mbi këto veçanti. Prej kësaj proze romanore, jo shumë të gjatë, mund të bëhen analiza të jashtëzakonshme gjuhësore, në rrafshin leksikor, dialektor, frazeologjik, stilistik dhe sociolinguistik e etno-linguistik. Le të sjellim këtu disa shembuj të leksikut a frazave dialektore shqipe, fjalëve e shprehjeve orientale e sllave në kontekst të stilit të ligjërimit: rrëmoqe, cegmim, u bëftë deti kos, fjalë të buta, ia binte diellin mbi krye, shiqim i mefshtë, çantë e lëkuçme, përskithje, djalosh hollak, kakalana, djalosh vishkullor, rrum, i mërdhezun si lafsha e gjelit, tferrim, bylyk notash, topërllamë, pykë, shamak, u ba tym, shtrij kamët sa e ke plafin, abej, bac, mutfak, lefterica e shehrit, llullaxhitë e shehrit, m’i marrsh pleshtat, oj banxha e thiut, pasha katër qitapet, kanxhallozi thiut, govençka e thiut, na i marr t’ligat, shahpërpjetja, faqet e galme, dallpallja, qelpazja, ai që s’e ngon nanen e ngon njerkën, u flug, mprimje, tu rrit mendja, bleni i flokëve, okrugllo pa na çoshku – po ç’po sillet rrethit të laknorit, me çue në pyka, edhe në mulli ka ni rend, kult liçnosti etj. Edhe sot është vështirë të gjejmë vepra të kësaj dendurie filozofike, ligjërimore  e stilistike, si dhe të këtyre përmasave gjuhësore në letrat shqipe.

Personazhet, qytetarë të moshuar të gjinisë mashkullore, kryesisht të ardhur nga fshati, po edhe qytetarë të tjerë, shquhen për përdorimin e gjuhës etno-linguistike, përkatësisht togfjalëshave dhe frazeologjisë kombëtare; gratë flasin me fjalë e leksik të përmbytur oriental, ndërsa prej gjuhës së tyre mund të flitet edhe për të folmet gjinore; brezi i ri në shkollë identifikohet edhe për funksionalizimin e fjalëve dhe shprehje serbe, ndërsa gjuha e narratorit sjell jo vetëm leksik të pasur e togfjalësha të nxënë nga letërsia shqipe e viteve ’30 (kryesisht nga proza e Ernest Koliqit), po edhe fjalë të reja, terma letrare e filozofike, shprehje sociale e nocione konceptuale, të cilat letrave shqipe, në të vërtetë, letërsisë, kritikës, socilologjisë së kulturë dhe antropologjisë do t’i mungojnë deri në vitet ’70, kur nocionet, termat, konceptet dhe diskutimet e tilla bëhen objekt të eseve dhe trajtesave kryesisht të Profesor Qosjes. Në të vërtetë, narratori flet për snobizimin, për modën, për dogmatizmin dhe dukuri të tjera shoqërore, kulturore, letrare e estetike, në përmasat që vetëm në vitet ’70 do t’i diskutojë gjerësisht, përmbajtësisht dhe në kontekstin socio-kulturor para se gjithash Profesor Qosja. (Me onomastikën dhe leksikun, përkatësisht gjuhën e këtij romani do të merrem në një sprovë tjetër).

Dorëshkrimi si bazë e një ridimensionimi intelektual

Me këtë vepër, megjithëse të papërfunduar, në të vërtetë të prerë në mes nga sigurimi jugosllav, biografia e Adem Demaçit, e periudhës së parë të jetës së tij, merr dimensione të reja, për të mos thënë ridimensionohet në shumë drejtime: politike e intelektuale, teorike, krijuese, letrare e estetike,  filozofike, konceptuale e perceptuese. Kjo vepër, si e tillë, sjell pamje të re në jetën dhe veprën e tij, në të vërtetë, në bëmat dhe përvojën e tij jetësore e letrare. Kjo vepër, njëkohësisht, përplotëson letërsinë shqipe, madje jo vetëm të kësaj periudhe.    

(Tekst i përgatitur për tryezën kushtuar dy vjetorit të vdekjes së Adem Demaçit)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gara për Marash Kumbullën mbetet ende shumë e fortë. Mbrojtësi…